AlbanianSport.com 26.01.2016 17:05
ASNN – Hija e dopingut vazhdon të mbetet si “Shpata e Demokleut” mbi shtangën kuqezi. “Do të ketë kontrolle antidopingu, jo vetëm kaq, por pranë ekipit kombëtar do të ketë edhe masazhator e mjek, – ka deklaruar Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, duke folur përpara sportistëve. – E ky i fundit do të jetë Mel Ostreni, i cili do të jetë përgjegjësi kryesor për ju, pasi do t’iu survejojë dhe kontrollojë si tek substancat që do të pini, të cilat do t’ia tregojmë njëherë WADA-s e më pas do t’i konsumoni. Do të ketë një rregull në këtë drejtim, sepse nuk mund të digjemi më pasi do të ishte katastrofike për ne”.
Më pas ka pasur dikutime midis sportistëve dhe presidentit Gjoza, por dhe trajnerëve të pranishëm, për problemin e antidopingut, ku peshëngritësit kanë përsëri frikën e madhe se mos dalin pozitiv si herët e kaluara. Prandaj kanë kërkuar nga kreu i federatës që të marrë masa për proteinat që do të pihen në mënyrë që ato të jenë të lejueshme. E kjo të mos kenë probleme, kurse doktori, që në këtë rast është Ostreni, të mbajë përgjegjësi për atë që do të pihet. Sepse do të ishte e pafalshme që peshëngritja të rezultonte përsëri pozitive në analizat antidoping.
Gjoza ka siguruar të gjithë sportistët e pranishëm që do jetë doktori i ekipit, Ostreni, ai që do të marrë përgjegjësitë për çdo gjë. “Kështu që të rrini të qetë dhe të jepni më të mirën tuaj në këtë garë, pasi ju jeni ajka e peshëngritjes shqiptare, – ka thënë ai. – Do të bëhet testi i antidopingut tuaj dhe ai do vijë 20 ditë para garës. Kështu që janë të gjitha shanset që të parandalohet gjithçka. Ne nuk do të nisemi kuturu në këtë garë, por të pastër ashtur sikurse jemi”. Madje Gjoza ui ka kërkuar sportistëve edhe mendime për ligjin e sportit në mënyrë që ato të reflektohet për sa kohe ende nuk ka kaluar si draft në parlament.