AlbanianSport.com 23.01.2017 19:35
ASNN – Sepse në çdo “stuhi” ka gjithmonë një moment qetësie, si një bekim të fshehur. Kështu ka ndodhur edhe me Erkand Qerimajn, peshëngritësin që ka nisur luftën me drejtuesit aktual të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes e jo vetëm, por dhe me drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia, dje në mesditë është bërë baba.
Dijar Qerimaj është fëmija i parë i Erkandit dhe bashkëshortes së tij, Tedi Kalaja. Ndërkohë, Qerimaj nuk ka vonuar t’i japë djalit porositë e para. “Djali im, Dijar… Emrin ta vura emër shqiptar, kompozim i fjalës “dije”, dijetar kuptimi”, – shkruan peshëngritësi në një postim në profilin e tij në rrjetin social, “Facebook”. – Unë do të edukoj që ta duash vendin tënd, Shqipërinë Etnike, dhe flamurin shqiptar siç e dua unë.”
“Ta vlerësosh dhe respektosh siç bëra dhe po bëj unë, – ka vijuar Qerimaj. – Të luftosh deri në fund për të drejtat e tua dhe popullit tonë. Sepse edhe babai im, kështu më edukoi që kur isha femijë dhe tradita vazhdon! Na thërret zëri i të parëve që dhanë jetën për këtë tokë! Detyrimi ynë është ta ndërrojmë Shqipërinë tonë të dashur!”
Dhe AlbanianSport i jep urimin kampionit të Evropës: “Me jetë të gjatë…!”