Gjergj Vyshka 12.12.2014 08:45
Federata Shqiptare e Peshëngritjes, e gjendur e shokuar për shkak të edhe dy rasteve të dopingut, me të njëjtën substancë të ndaluar, stanozolol, e ka pasur të vështirë të reagojë. Pa thënë që deri më sot nuk ka asnjë lloj koment individual nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, apo dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj Federate, Muharrem Berisha.
Nëse do t’i ecim premtimit që ka dhënë në nëntor 2012, teksa është zgjedhur president i Federatës, Gjoza sot duhet të ishte i dorëhequr për shkak të pesë rasteve të dopingut, Calja më 2013-ën dhe Çerçizaj, Begaj, Godelli dhe Pulaku më 2014-ën. Megjithatë Federata Shqiptare e Peshëngritjes, në një deklaratë për shtyp dje, ka treguar se pas përfundimit të analizës B si për Godellin, ashtu dhe Pulakun, do të bëjë transparencën dhe hetimin e plotë të situatë duke e nisur nxjerrjen e përgjegjësive direkte që brenda Federatës.
“Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP) shpreh shqetësimin e madh në lidhje me lajmin e përfshirjes edhe të dy peshëngritësve të tjerë të ekipit kombëtar të peshëngritjes shqiptare (pjesëmarrës në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, Almati Kazakistan, 4-20 nëntor 2014) në listën e të dyshuarve për doping”, – shkruan deklarata e FSHP-së.
“FSHP shpreh mbështetjen për çdo peshëngritës të ekipit kombëtar për punën dhe angazhimin e tyre me të cilat ndër vite i kanë dhënë shumë medalje Shqipërisë. FSHP shpreh angazhimin se pas daljes përfundimtare të rezultatit të analizave të testit B të sportistëve të dyshuar, do të bëj të mundur transparencën, hetimin dhe daljen e përgjegjësive duke filluar nga vetë Federata Shqiptare e Peshëngritjes”, – përfundon deklarata.
13 raste doping kanë dalë pozitiv në peshëngritjen shqiptare, që kanë nisur më 2005-ën me Ilir Tafaranin, që u përjashtua përjetësisht, për të vazhduar me Fetije Kasajn, Mirian Loci, Isa Balën, Shqiponja Brahjen, Erkand Qerimajn, Ilir Sulin, Hysen Pulakun (dy herë), Briken Caljen, Arbër Çerçizajn, Romela Begajn dhe Daniel Godellin
5 raste rezultojnë të tilla në periudhën e presidencës së Elez Gjozës, që kanë nisur më 2013-ën në Mesdhe me Briken Caljen e për të vazhduar me Çerçizajn e më pas me Begajn, Pulakun dhe Godellin.