Gjergj Vyshka 13.04.2016 08:55
Briken Calja ka marrë vetëm një medalje bronzi në stilin e shkëputjes në peshën 69 kg në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rritur, që është duke u zhvilluar në Fjorde të Norvegjisë. E më pas në stilin e shtytjes ka dështuar, ndërsa nuk ka mundur të realizojë tre provat e tij. Që do të thotë se nuk është klasifikuar në dygarësh duke mos i dhënë mundësinë Shqipërisë që të marrë pikët e nevojshme si ekip për të shpresuar më pas për kualifikim me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Sa për kujtesë, për meshkuj Shqipëria si skuadër, duke hequr ato përfaqësuese që janë kualifikuar më parë, duhet të jetë në përfundim të këtij Evropiani tek 7 ekipet e para. Kurse për femra tek gjashtë ekipet e para, çka duket e pamundur me vendin e tetë të Shqiponja Brahjes dhe vendin e 5-të të Evangjeli Velit. Shpresat e vetme për medalje është sonte nga Erkand Qerimaj në peshën 77 kg, ndërsa të enjten në peshën 85 kg në baterinë A do të jetë Krenar Shoraj. Dhe të premten e mbyll këtë pjesëmarrje në Evropianin norvegjez Endri Karina dhe Sopot Sula në peshën 94 kg në baterinë B.
Aktualisht për meshkuj Shqipëria ka vetëm pikët e Romario Avdirajt, i cili në baterinë B zuri vendin e katërt në dygarësh në peshën 62 kg, kurse në total në vendin e 12-të. Parë kështu, teksa as nga peshëngritësi, por as nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritje nuk ka asnjë koment, e djeshmja vetëm me një medalje të bronztë në shkëputje s’është gjë tjetër veçse dështim.