Gjergj Vyshka 09.01.2016 09:00
Peshëngritja shqiptare do të kthehen edhe një herë në mjediset e Akademisë së Shkencave, atje ku dy vjet më parë pati zhvilluar Asamblenë e saj të Përgjithshme. Tashmë për të njëjtën arsye, të paktën edhe sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, më 23 janar në ora 11:00 do të zhvillohet Asambleja e Përgjithshme.
Kuptohet që do të jetë një analizë vjetore për të gjitha problemet që ka pasur peshëngritja shqiptare gjatë vitit 2015, por dhe për të nxjerrë objektivat, ndërsa shtanga kërkon që të arrijë normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” nëpërmjet Kampionatit Evropian të Të Rriturve në prill në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo.
Ndonëse presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, në fundin e vitit në një përmbledhje që i ka bërë sportit të tij tek “TeleSport”-i ka pretenduar se Calja me vendin e 6-të dhe Qerimaj me vendin e 10-të, të dy në Botërorin e Hjustonit, janë të kualifikuar që tani për në Lojërat Olimpike. Tashmë pritet që peshëngritja të analizojë dhe të hedhë bazat për një vit të ngjeshur 2016 në Asamblenë Vjetore të 23 janarit.