AlbanianSport.com 17.01.2017 13:50
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka reaguar lidhur me akuzat që i adresoi FSHP-së sportisti Sopot Sula gjatë një interviste për “Panorama Sport”. Gjoza i ka quajtur shpifje fjalët e Sulës, teksa tha për për të përdishmen në fjalë: “Si fillim dua të sqaroj se vendimi për përjashtimin e Sulës ka ardhur nga kryesia. Shkak i ndëshkimit ka qenë një “SMS” e nisur prej tij në drejtim të celularit të Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës, ku ka ofenduar zyrtarin, njëherësh institucionin. Në atë mesazh, ai ka shpifur duke thyer etikën sportive.”
“Pas këtij precedenti u mblodh Komiteti Drejtues dhe mori masën duke e përjashtuar nga Kampionati Evropian i ardhshëm, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris shtangën shqiptare. – Këtë mandat do të ketë revolucion për federatën në drejtim të etikës. Asnjë sportist, qoftë ky edhe më i miri i ekipit kombëtar. Toleranca ndaj cilitdo do të jetë zero, pasi sporti bëhet në bazë të disiplinës. Ne nuk rrisim “halabakë”, por sportistë. Sakaq, dua të them se Sula ka gënjyer për rezultatet, pasi ne kemi bërë një garë në Durrës, ku e zeza mbi të bardhë konfirmon mashtrimin e tij për rezultatet.”
“Edhe në Izrael u renditën 8 sportistë para tij, – ka vijuar ai. – Në këtë mandat, unë i kam vënë qëllim federatës se nuk do të rrisim më sportistë të paedukuar, që nuk dëgjojnë as këshillat e trajnerëve tyre. Ka mbaruar koha kur një sportist bën trajnerin dhe presidentin.” Në fund, Gjoza u ndal edhe tek akuza e Sulës, që pretendoi si përjashtimi tij ka ardhur pasi ka refuzuar angazhimet në forumet drejtuese të FSHP-së përpara Asamblesë Zgjedhore të zhvilluar në Vlorë: “Sula e argumenton në këtë mënyrë, pasi, siç e thashë, nuk kupton se presidentin nuk e zgjedhin sportistët.”
“Në momentin që thyhet disiplina përjashtohet edhe Ronaldo, që është ylli i futbollist ndërkombëtar, dhe jo më Sopot Sula, – ka këmbëngulur presidenti i FSHP-së. – Është kusht: federata jonë do të bëhet vetëm me sportistë të edukuar. Shteti shqiptar shpenzon para për këto sportistë, edhe pse financat janë të brishta dhe nuk kemi luksin të shpenzojmë për këto sportistë që kur duan, bëjnë gara dhe kur nuk duan, qëndrojnë pushim. Sula është përjashtuar për thyerjen e etikës disiplinore. Lidhur me këtë problem ka folur edhe me shefin e klubit të Teutës, që ishte plotësisht dakord me këtë vendim.”
“Madje ai më tha që përjashtimi nga Europiani ishte masa më e lehtë që mund të kishim dhënë për të, – ka vijuar Gjoza. – Sekretari i Përgjithshëm i FSHP-së, Agron Haxhihyseni, do të pasqyrojë së shpejti edhe rezultatet e arritura nga ky sportist, ku të gjithë do të njihen me gënjeshtrat e tij. Ne i kemi rezultatet me kilogramë, janë të matshme dhe askush nuk mund të gënjejë. Nëse ne stimulojmë njerëz që sillen si të duan, vetëm sepse janë sportistë, bëjmë një gabim shumë të madh, pasi sporti nuk ecën në drejtimin e duhur.”