Gjergj Vyshka 24.01.2017 09:45
Peshëngritësi shkodran nxjerr dhe një herë të gjitha akuzat ndaj Gjozës që lidhen me dopingun, fotoreporterin, vilat luksoze e gjithçka të tjera. Debate të nxehta me Sekretarin e Përgjithshëm, Agron Haxhihyseni. Peshëngritja shqiptare ka vijuar debatet e nxehta edhe në studion e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, gjatë emisionit “E hëna sportive” të gazetarit Eno Skarço.
Qerimaj në qendër të vëmendjes ka numëruar dhe një herë të gjitha akuzat e tij që lidhen me presidentin Elez Gjozaj, të cilat fillojnë që tek dopingu në 2014, tek mungesa e kushteve, trajtimi ushqimor dhe siguracionet, tek heqja e trajnerit Zef Kovaçi nga ekipi kombëtar, tek fotoreporteri për në Amerikë e deri tek pasuritë e të parit të peshëngritjes shqiptare.
Debate të nxehta me sekretarin e përgjithshëm Agron Haxhihyseni, ndonëse Qerimaj kishte kërkuar në debat presidentin Gjoza, i cili gjatë emisioni ka ndërhyrë dy herë në linjë telefonike. Sipas Qerimajt e gjitha kjo po bëhet për ta goditur atë përpara Kampionatit Evropian të Peshëngritjes në Split. “Nuk jam unë ai që kam zgjedhur të bëjë luftë me askënd, por janë këta që po më godasin teksa ishe në përgatitje intensive për Splitin”, – ka thënë ai në studion e së emisionit në fjalë.
“Reagova për shkak të kushteve në palestrën e Vllaznisë, sepse shefi i klubit Kroqi në një televizion lokal deklaroi që janë të mira, – vijoi peshëngritësi shkodran. – E sikur të mos mjaftonte kjo vjen dhe shkrimi i Gjozës që thotë se unë marrë më shumë raporte mjekësore. Kam sakrifikuar për flamurin shqiptar, ndërsa mjekët më thanë që s’duhet të vazhdoja në Fjorde të Norvegjisë.”
“Jo vetëm kaq, por kjo Federatë ka ndërhyrë që unë të mos zgjidhesha në 10 sportistët më të mirë në Shkodër, ndërsa jam sportisti më i mirë i Kupës së Shqipërisë. Kjo është Federatë që ka pjesën më të madhe të sportistëve e trajnerëve kundër dhe që duhet të japi përgjigje për të gjitha shkeljet në Kontrollin e Lartë të Shtetit e në prokurori. Do të vazhdoj dhe do të bëhemi të gjithë bashkë derisa të vendosen gjërat në vijë”, – përfundoi Qerimaj.