Gjergj Vyshka 26.11.2016 08:45
Me vonesë, por Federata Botërore e Peshëngritjes (IWF), përmes presidentit Tamas Ajan, e ka bërë “qokën” për presidentin e nderit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Gudar Beqiraj, që të premten pasdite ka festuar atë që e ka quajtur “50 vjet jetë me sportin e shtangës”. Për shkak të ngatërrimit të avionëve, teksa ka qenë i detyruar që nga Vjena të ndërrojë linjën për në Stamboll e më pas në Tiranë, Tamas Ajan ka mbërritur në orët e vona të mbrëmjes të së premtes.
Dhe të shtunën paradite ai ka dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp në mjediset e Hotel “Tirana-International” së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, dhe presidentin e nderit Gudar Beqiraj. Gjoza në fjalën e tij e ka cilësuar Tamas Ajanin një mik të të gjithë peshëngritjes shqiptare. “Ne ju jemi mirënjohës për gjithçka që jepni për vendin tonë, – ka thënë Gjoza. – Ne kemi gjithnjë nevojë për mbështetjen tuaj.”,
E ndërkohë Tamas Ajan pasi e ka uruar Gjozën për rizgjedhjen në krye të peshëngritjes shqiptare. “Do të bëjmë më shumë për peshëngritjen shqiptare, – ka thënë kreu i IWF-së. Por duke mbetur tek Gudar Beqiraj, ne do ta nderojmë me medaljen e Federatës Botërore, sepse është vlerë e shtuar për peshëngritjen. Madje e cilësoj një çift të përsosur së bashku me Elez Gjozën për të mirën e peshëngritjes shqiptare”. Dhe, si zakonisht, mes emocionesh ka folur dhe përshëndetur dhe Gudar Beqiraj.
“Medalja për mua është për të gjithë peshëngritjen shqiptare dhe vërtetohet gjithnjë e më shumë thënia nuk ka peshëngritje botërore pa peshëngritjen shqiptare dhe një herë faleminderit”, – ka deklaruar ai.