AlbanianSport.com 17.10.2014 07:35
ASNN – Ish-presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, u shpreh i emocionuar për triumfin kuqezi në Kazakistan të Daniel Godellit dhe Romela Begajt. Në një prononcim për të përditshmen më të madhe sportive në Shqipëri, “Panorama Sport”, ish-kreu i shtangës kuqezi për disa mandate, njëherësh ish-anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore, tha se seria e trofeve nuk njeh limite. Por Presidenti i Nderit i FSHP-së, Ademi e vë theksin te ngërçi i shpërblimit financiar në stilet teke, sipas të cilit e ka kërkuar me kohë ndryshimin e vendimit të Këshillit të Ministrave.
“Garat i ndoqa me shumë emocion dhe fundi na gëzoi të gjithëve, sikurse në të kaluarën, – ka deklaruar ai, duke folur për të përditshmen në fjalë. – Edhe një herë tjetër shtanga po rikonfirmohet si sport elitar në arenën ndërkombëtare dhe numri i trofeve sa vjen e shtohet. E ardhmja është optimiste, peshëngritja po bën shumë progres. Në fakt, do të kisha shumë dëshirë t’i ndiqja nga afër, por nuk mund të qëndrosh gjithë jetën në një funksion. Patjetër që stafeta kalon në një staf tjetër drejtuesish, të cilët duhen përgëzuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm, të shpërblyer me rezultate të larta.”
I pyetur nëse është normale që një sportiste të shpallet kampione bote dhe një vendim i Këshillit të Ministrave e përjashton nga premtoja, Ademi u përgjigj që “jo”. “Vendimi aktual i Këshillit të Ministrave përcakton vetëm medaljen dhe nuk është i specifikuar nëse është i vlefshëm në stilet përkatëse apo në dygarësh, – ka theksuar ish-presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. – Në kohën që unë kam drejtuar Federatën, e kam kërkuar gjithnjë, duke mos reshtur për asnjë moment, në institucionet përgjegjëse për ta ndryshuar këtë vendim, duke u dhënë prioritet edhe medaljeve të fituara në njërin stil.”
“Në gjykimin tim, duhet me çdo kusht që ky vendim të ndryshojë. Kurrsesi këta sportistë nuk duhen diskriminuar, sepse në fund të fundit nuk kemi shumë të këtij rangu në arenën ndërkombëtare, por me kokrra”, – përfundoi deklaratën e tij për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, ish-numri një i pedanës, Esat Ademi, një njeri me shumë kontribute në sport, por edhe në ditët e sotme, edhe pse i shkëputur disi.