Gjergj Vyshka 14.11.2014 14:35
Peshëngritja është sporti i parë në Shqipëri që ka sot sportistë me normë të kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Këtë e konfirmon presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili nga Almati, në një bisedë telefonike të posaçme për “Gazetën e Sportit”, ka pohuar se sot janë 7 peshëngritës të kualifikuar me normë. “Janë pesë meshkuj dhe dy femra dhe nuk kam se si të mos ndihem krenar”, – ka thënë ai.
“Jam krenar sepse ne sot kemi marrë medaljen e tretë të artë me Romela Begajn, e cila e meriton të quhet “kampione e botës”, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris shtangën shqiptare. – Ka pasur një bateri të fortë dhe me shumë konkurrencë. Megjithatë ia ka arritur të marrë medaljen e artë dhe kjo nuk është pak. Është fryt i punës së sportistëve dhe trajnerëve, politikave të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, por dhe mbështetjes së pakursyer të qeverisë.”
“Ndaj unë jam krenar, sepse për herë të parë sjellim tre medalje të arta nga një Botëror i të rriturve si kurrë më parë”, – ka theksuar Gjoza. Përpara keni vitin 2015 dhe të tjera veprimtari të rëndësishme si Evropiane, apo Botërore. A do të mund të ketë të tjerë të kualifikuar Shqipëria për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”? “Ne do të presim se çfarë do të ndodhë sot dhe me Haxhihysenin dhe Sulën në peshën 94 kg, – ka pohuar presidenti i FSHP-së. – Megjithatë sigurisht që do të kërkojmë dhe të tjerë të kualifikuar me normë.”
“Por numri shtatë i të kualifikuarve nuk është pak. Ndërsa besoj se Kampionati Botëror i të rriturve, me tre medalje të arta dhe një të argjendtë, ia ka arritur qëllimit për ekipin kombëtar të Shqipërisë”, – ka përfunduar Gjoza, duke folur nga kryeqyteti i Kazakistanit, Almati.