Gjergj Vyshka 16.04.2016 13:30
Briken Calja, i vetmi medalist i Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur, i cili u zhvillua në Fjërde të Norvegjisë, është i bindur se është i kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Sepse ai është i 6-ti në Botërorin e Portlendit nëntorin e kaluar e për rrjedhojë në renditjen e përgjithshme ndodhet në pozicione të mira.
Por ai që sqaron këtë situatë është trajneri i Erkand Qerimajt, Zef Kovaçi. Sipas tij, Calja është dhe duhet të jetë përfaqësuesi i peshëngritjes shqiptare në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. “Ai është në vendin e 6-të në Botëror, që do të thotë se ka një pozicion më të mirë se Qerimaj, – ka sqaruar trajneri shkodran. – Për rrjedhojë, duke qenë më mirë në renditjen botërore e ka një vend në Lojërat Olimpike.”
“Megjithatë duhet pritur deri në maj, sepse vetëm atëherë Federata Botërore cakton 6 të fundit ndër 8 peshat për në Lojërat Olimpike, – ka vijuar ai sqarimin e tij. – Sepse duhen pritur dhe përfundimet e Kampionateve të kontinenteve. Mund të rezultojë që një i peshës tjetër të dalë më mirë se sa Calja. Ndaj duhet pritur. Por të paktën deri më tani nëse do të jetë një ftesë për Shqipërinë i takon atij, sepse është më mirë në renditje se të tjerët.”