AlbanianSport.com 04.04.2015 21:20
ASNN – Ekipi i peshëngritjes duket se ka ndjekur shembullin e Kombëtares së futbollit. Kjo sepse çështja e dopingut do të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Këtë lajm e ka konfirmuar për Televizionin “Klan”, Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.
Sipas medias në fjalë, Kryesia e kësaj Federate nuk ka qenë dakord me përjashtimin e peshëngritësve shqiptarë duke e çuar çështjen në shkallën më të lartë të drejtësisë sportive. Gjoza ka sqaruar se problemi ka lindur gjatë stërvitjes në Greqi, ku sportitët ishin nën kujdesin e Luan Shabanit.
Pas këtij skandali ka dhënë dorëheqjen Zv/presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Ilir Kulla, ndërsa është e habitshme që Presidenti Gjoza nuk ka marrë asnjë përgjegjësi mbi veten. Kulla ka deklaruar në një mesazh në “Facebook” se vendimi për të dërguar sportistët për stërvitje në Greqi kishte për qëllim lënien e ekipin shqiptar jashtë Lojërave Olimpike “Rio 2016”.
Një ditë më parë, Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes ka përjashtuar me 2 vite Daniel Godellin e Romela Begaj dhe me 8 vite Hysen Pulakun. Ata kanë akuzuar Luan Shabanin si përgjegjësin e vetëm të këtij skandali. Në këtë çështje ajo që humbet më shumë është peshëngritja shqiptare, që ka më pak shpresa për medalje në olimpiadën e vitit të ardhshëm.