AlbanianSport.com 05/05/2018 09:15
ASNN – Shkresa e drejtuar Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar: “Ka shkelje të Ligjit të Sportit dhe mbi të gjitha ndërhyrje në kompetencat tona”. Peshëngritja shqiptare nuk ka heshtur ndaj vendimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, që nëpërmjet Bordit Ekzekutiv e ka pezulluar për dy vjet sportin e shtangës nga aktivitetet që organizon institucioni më i lartë i olimpizmit shqiptar. Pas protestës së shtangistëve të mërkurën, e cila i ka kaluar caqet, sepse ka pasur dhe përplasje fizike me zëvendëspresidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Vojo Malo, vendimi i marrë nga Bordi Ekzekutiv ka mbërritur në zyrat e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.
E dje institucioni më i lartë i olimpizmit shqiptar, me shkresën me numër protokolli 52, që mban firmën e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica, dhe të sekretarit Agron Haxhihyseni, ka kërkuar rishikim dhe pezullim të vendimit të datës 26 mars 2018. Shkresa e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e cila i është drejtuar presidentit të KOKSH, Viron Bezhanit, sekretarit të përgjithshëm Stavri Bello, ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, si dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare, ka vërejtur shkelje të rënda të Ligjit të Sportit në vendimin e 26 marsit.
Për më tepër ja shkresa që ka shkuar dje në KOKSH. “Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe komuniteti sportiv i peshëngritjes shqiptare, pasi u njoh me ekstraktin e vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në mbledhjen e datës 26 mars 2018, ju bën me dije se ky vendim është i pabazuar ligjërisht në Ligjin për Sportin. Dhe për rrjedhojë kërkon pezullimin e këtij vendimi, sepse:
1) Ky vendim bie poshtë pasi duke u bazuar në Ligjin për Sportin nr.79, 2017 (Neni 5, pika 1 ku citohet qartë se të ushtruarit e sportit është një e drejtë e të gjithë shtetasve të Republikës së Shqipërisë, atëherë askush nuk mund të privohet nga kjo e drejtë pa shkak të mbështetur në Ligj.
2) Neni 18, pika 2 (Asnjë person juridik apo privat nuk mund të ushtrojë asnjë nga kompetencat ekskluzive të Federatës, vetëm nëse ato janë dhënë zyrtarisht prej saj. Federata është një organ i pavarur.
3) Në bazë të Ligjit për Sportin, neni 14, pika 7, vendimet e KOKSH bëhen nëpërmjet dërgimit zyrtar tek të gjithë anëtarët e tij. Vendimi i KOKSH është marrë më datë 26 mars 2018 dhe në FSHP erdhi në 2 maj. Duke u bazuar në pikat e mësipërme FSHP ju drejtohet me kërkesën për rishqyrtimin e këtij vendimi dhe pezullimin e tij, pasi FSHP për momentin nuk ka asnjë pezullim ligjor nga të gjithë Federatat Ndërkombëtare, apo dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Duke shpresuar në mbarëvajtjen e një fryme të re dhe me një sport të pastër, shpresojmë në mirëkuptimin dhe një përgjigje pozitive nga ana juaj”.