Gjergj Vyshka 23.09.2015 12:55
ASNN – Sipas njoftimit që ka shpërndarë në rrjetin social “Facebook” Sekretari i Përgjithshëm i saj, Agron Haxhihyseni, Federata Shqiptare e Peshëngritjes tashmë e ka caktuar datën e zhvillimit të Kampionatit Kombëtar të Të Rriturve. Kësisoj, gara më e rëndësishme e vitit për shtangën do të bëhet më 16 tetor 2015 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” dhe do të jetë e rëndësishme për të caktuar ekipin kombëtar, që do të marrë pjesë në Botërorin e Hjustonit.
Dhe pikërisht këto elementë, që në një farë mënyre janë deklaruar, ndërsa bëhet fjalë për Shqiponja Brahjen (pesha 48 kg), Evangjeli Veli (pesha 53 kg), Emanuel Lushi (pesha 62 kg), Alban Hoxha dhe Briken Calja (pesha 69 kg), Erkand Qerimaj (pesha 77 kg), Krenar Shoraj (pesha 85 kg), Ervis Tabaku dhe Endri Karina (pesha 94 kg), do të grumbullohen më pas në Shtërmen. Kështu që Kampionati Kombëtar i Të Rriturve, më tepër sesa me idenë që fituesit do të jenë në Botërorin e Hjustonit, është si një garë kontrolli për ato që do të shkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Federata Shqiptare e Peshëngritjes i ka njoftuar klubet që do t’u dërgohet edhe informacioni përkatës, së bashku me rregulloren e aktivitetit. Kurse klubet duhet të bien faturat e licencimit në Federatat dhe kontratat me peshëngritësit. “Asnjë ekip nuk do të përfaqësohet në kampionat pa këto dy dokumenta dhe pa uniforma”, – ka saktësuar Federata Shqiptare e Peshëngritjes, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Agron Haxhihysenit.