Gjergj Vyshka 02.02.2017 10:40
Në fakt, Erkand Qerimaj (i lindur më 10 gusht 1988) është i vogël për të dëshmuar se e njeh Aleksandër Kondon, peshëngritësin e Dinamos, që së bashku me Xhelal Sukniqin u arratisën në maj 1985 teksa ktheheshin nga Kampionati Evropian. E më pas Kondo, ende në rrethana misterioze, do të vdiste në një aksident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1987.
Me ardhjen e demokracisë eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 2005-ën. E megjithatë, edhe duke u motivuar nga gojëdhënat e trajnerëve të tij, nuk duhet harruar që pjesë e kombëtares së peshëngritjes kur Kondo u arratis ka qenë edhe trajneri i sotëm i Erkand Qerimajt, Zef Kovaçi, ai e ka një dedikim për këtë kampion në një status në profilin e tij në rrjetin social, “Facebook”.
“Aleksandër Kondo, do të kujtohesh gjithmonë e do të mbetesh në histori gjithmonë për trimërinë tënde dhe si një kampion i madh, – shkruan Qerimaj. – Nuk e harroj kurrë një shprehje shumë domethënëse tënden: “Më mirë jeto gjysmën e jetës si luan se gjithë jetën si mi”. Nuk e di nëse të vrau Sigurimi se ishte kundër regjimit, apo ishte një aksident.”
“Por di se do mbahesh mend gjithmonë se nuk e ule kokën asnjëherë, – vijon peshëngritësi shkodran, duke iu referuar legjendës së shtangës shqiptare. – Përkundrazi të tjerët ulën kokën para teje, trimi e i madhi Aleksandër Kondo. Je ti ai që do të kujtohesh gjithmonë Aleksandër e jo drejtuesit e Federatës dhe të institucioneve të asaj kohe!”. E kështu Qerimaj vijon të thumbojë…