AlbanianSport.com 29.05.2015 10:25
ASNN – A do të transferohet Granit Xhaka te Bajerni i Mynihut? Kjo është pyetja që e ngre e përditshmja zvicerane, “Blick”, sipas së cilës një tjetër shqiptar mund t’i bashkohet kampionëve në Gjermani, pas Shaqirit, që u largua në janar për tek Interi.
Gazeta zvicerane në faqet e saj shkruan se bavarezët kanë shfaqur interes për mesfushorin e Borusias së Mënshengladbahut, duke e cilësuar atë si një “Mateus” apo “Efenberg” të ri, duke qenë të gatshëm të hyjnë në garë dhe me Atletikon e Madridit.
Kjo e fundit ka ofruar 25 milionë euro për shërbimet e Xhakës. Në “Allianz Arena”, Xhaka mund të kishte dhe një vend të garantuar si titullar, pasi Alonso e Shvajnstajger po plaken, duke qenë se janë përkatësisht 34 dhe 30 vjeç.