AlbanianSport.com 08.10.2014 23:45
ASNN – Sonte në mbrëmje, në prani të kryeministrit Edi Rama, presidentit të FSHF-së Armando Duka dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, është përuruar zyrtarisht stadiumi “Elbasan Arena”. Para nisjes së miqësores së Shqipërisë me ekipin e Nën-19-vjeçarëve të Elbasanit, kryeministri takoi një nga një të gjithë futbollistët e kombëtares.
Më pas, zyrtarët e lartë të qeverisë dhe FSHF-së u vunë përballë portierit Etrit Berisha dhe goditën disa 11-metërsha. Duke folur për paketën sportive me pagesë, “Supersport”, Kryeministri shqiptar tha: “Dukej sikur stadiumi nuk do arrihej të bëhej gati, por ia dolëm. Tani mbetet vetëm pista olimpike. Shpresoj që në këtë stadium të vijnë sa më shumë familjarë dhe ju siguroj që ky është vetëm fillimi.”
Federata Shqiptare e Futbollit dhe kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi e kaluan me sukses testin e parë para ndeshjes me Danimarkën. Drejtuesit e FSHF-së kishin marrë të gjitha masat që miqësorja me skuadrën e Nën-19-vjeçarëve të Elbasanit t’i ngjasonte për nga rregullat një ndeshjeje ndërkombëtare, duke filluar nga siguria në stadium, hyrja e tifozëve me biletat eletronike e deri tek detaji më i vogël.
Edhe pse përballë kishin 19-vjeçarët elbasanas, edhe kombëtarja e De Biazit e kaloi me sukses provën e parë para tifozëve në “Elbasan Arena”, pasi shënuan 17 herë në portën e skuadrës elbasanase.