Nga Klodeta Gjini 18.03.2016 09:45
11 mars 2016. Sapo kisha mbaruar se shkruari intervistën e Anxhela Pashiolit, kampione italiane, kategoria F55 në 400m, në blogun personal. I dërgoj linkun Anxhelës dhe Xhorxhios, përgjegjës për sektorin e atleteve “master” në Shoqërinë Sportive Akudelà. Pas disa sekondash, Xhorxhio më shkruan se Jolanda Balash ka ndërruar jetë. Shoh lajmet në internet dhe filloj të lexoj artikujt dedikuar kësaj ikone të atletikës botërore. Tezën e mbrojtjes së diplomës master të nivelit të dytë në Universitetin e Bolonjës e kam bërë pikërisht për teorinë dhe metodologjinë stërvitore në atletikë, jo rastësisht në garën e kërcimit se larti.
Në prezantim e historisë së kësaj gare kisha dhe Jolandën. Në faqet e prezantimit nuk mungonte një fotografi e saj mbi stekë, por nuk isha thelluar në karrierën e saj. Qershor 1990, takimi i parë ndërkombëtar i atletikës në Bukuresht, pas rënies së regjimit të Çauçeskut. Në qendër të Bukureshtit protestohej ende, kurse ndërtesa përkrah hotel “Interkontinental” kishte shenjat e plumbave dhe dyer e dritare të djegura. Flija bashkë me atletet e tjera në qendrën olimpike “23 gushti”. Federata Botërore e Atletikës kishte vendosur të organizonte këtë aktivitet për të dhënë një sinjal të fortë se Rumania kishte filluar një jetë normale, edhe pse radhët e njerëzve për të marrë racionin ishin pa fund.
Ne atleteve nuk na mungonte gjë. Ne stadium takoj Jolandën dhe në fytyrë dukej shqetësimi i saj. Në stadium zhvilloheshin garat, ndërsa në periferi të Bukureshtit shtihej ende me armë. Bionde, me syze, me një fustan basme me lule të vogla dhe ngjyra të çelura, mëngë të shkurtra dhe lidhur me një rrip mesi i së njëjtës copë. Me sandale ngjyrë bezhë, pa taka. I uronte mirëseardhjen të gjithëve dhe pyeste nëse kishim ndonjë nevojë, të njëjtën gjë bëri edhe me mua. Kontrollonte që organizimi të shkonte ashtu si duhej. E pashë me admirim, por isha e tensionuar për garën dhe çdo gjë hynte te protokolli i zakonshëm i një aktiviteti.
Ndërsa lexoj artikujt e publikuar nga gazetat italiane i hedh një sy faqes së internetit të Fidal. Natyrisht gjej detaje teknike në publikimin e tyre. Dy medalje olimpike, në Romë në 1960-ën, me rezultatin 1.85 m dhe me pas në Tokio, në 1964-ën, me rezultatin 1.90 m, ku vendi i dytë u fitua nga Mishèlë Mejson-Braun, me 1.80 m. 14 rekorde botërore dhe fituese në 140 gara radhazi. Ishte protagonistja kryesore e garës nga mesi i viteve 50 deri në 1967-ën kur u tërhoq. Ishte atletja e parë rumune që fitoi një medalje të arte olimpike. Nga 1.75 m, që gjeti rekordin botëror më 1957-ën, e çoi në 1.91 m pas 5 vjetësh. Rekord me një jetëgjatësi 10-vjeçare.
Në 1967-ën u tërhoq për shkak të këputjes së Tendinit të Akilit, nga e cila ka vuajtur gjithë jetën. Ndërkohë që thellohesha në karrierën e saj, ndjeva një paralelizëm të jashtëzakonshëm me karrierën time, edhe pse imja është tejet e thjeshtë. Por, nëse i hedh një sy vetvetes, shikoj shume pika takimi me të. Ballkanase, e rritur si edhe unë në një vend socialist, përmirësoj rekordin kombëtar, duke filluar nga 1.78 m dhe e çoj në 1.92 m (mbahej nga Marieta Pronjari Zaçe prej 10 vjetësh). Rekordin kombëtar e përmirësoj 17 herë radhazi (Të reja dhe Të rritura), ndërsa Balash atë botëror 14 herë. Filloj nga 22 maji i 1982-shit e deri më 22 gusht 1989.
Balash është tërhequr në 1967-ën, kur unë isha vetëm 3 vjeç. Të dyja kemi kërcyer në pistë qymyri. Periudha e tërheqjes fillon pikërisht për një shfijëzim të Tendinit të Akilit. Periudhat janë të ndryshme, por metodologjia e stërvitjes thuajse e njëjtë. Diferenca qëndron në stil, ajo kërcente një stil valëvitës, një stil gërshërë i përmirësuar, unë me “Fosberi”, më e avantazhuar. Falë mjekësisë, që ka avancuar, dhe mundësisë së një ndërhyrje të specializuar, jam më me fat se Jolanda dhe nuk e përcjell vuajtjen e Tendinit ndër vite pas operimit. Edhe pse janë dy rezultate thuajse të të njëjtit nivel, koha tregon cilësinë e tyre.
Aktualisht, me të njëjtën lartësi, hyn në finale në Olimpiadë, apo kampionate botërore. Nga 1988-a deri 2002-shin Balash ka drejtuar Federatën e Atletikës së Rumanisë me shumë profesionalizëm dhe për probleme të ndryshme nuk kishte frikë të merrte pozicione dhe të shprehte qëndrimin e saj. Jolanda Balash, thjeshtësia jote do të më shoqërojë gjithë jetën, ajo thjeshtësi që është karakteristike e njeriut të punës. Kaloj nëpër duar medaljen e bronzit për klasifikimin e treta në Bukuresht dhe më vjen keq që në ato momente përqendrimi im ishte diku tjetër, te gara, por është medalja që ju kishit zgjedhur për atë takim dhe ma vare në qafë.
Me mirënjohje të thellë legjendë!