Gjergj Vyshka 12.01.2015 09:05
Përfundon sot, të paktën edhe sipas Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe njoftimit të saj zyrtare në faqen e “Facebook”-ut, kursi teknik për trajnerët e atletikës. Në kuadrin e programit të solidaritetit olimpik dhe Federatës Botërore të Atletikës, slloveni Bradeshko dhe boshnjakja Koziç kanë zhvilluar dhjetë ditë trajnimi intensiv me 24 trajnerë të këtij sporti në vend.
Programi ka pasur në brendësi dhe zhvillimin e atletikës nëpër shkolla dhe tek fëmijët mbi bazën e udhëzimeve të Federatës Botërore të Atletikës. Të gjithë trajnerët që kanë bërë këtë kurs dje kanë bërë testimin praktik, kurse sot do të bëjnë testimin teorik. Dhe po sot, gjithnjë sipas njoftimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, do të bëhet dhe certifikimi i tyre.
Ky është kursi i parë për trajnerët shqiptar për vitin 2015 zhvilluar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa pritet që gjatë vitit të ketë shumë të tillë, gjithnjë mbi bazën e kërkesave të Federatave Shumësportëshe për të rritur nivelin e trajningut dhe njëkohësisht të sportit në përgjithësi.