AlbanianSport.com 04.01.2015 20:25
ASNN – Janë luajtur sot ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Partizani ka fituar 2-0 me Laçin falë golave të realizuar nga Fazlliu dhe Bylykbashi. Fitore të rëndësishme ka marrë edhe Kukësi në Shkodër, teksa ka mundur Vllazninë 2-0. Ndeshja Tirana-Apolonia është mbyllur në barazim 2-2, ashtu sikundër është mbyllur në barazim 1-1 edhe takimi i Vlorës midis Flamurtarit dhe Skënderbeut.
Kështu, Partizani dhe Kukësi kanë siguruar fitoren në ndeshjet e para të vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë kanë mundur 2-0 Laçin, në ndeshjen që u luajt në Stadiumin e Fushë-Krujës dhe që u transmetua drejtperdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Partizani ka shënuar golin e parë me anë të Fazlliut, në minutën e 9-të, ndërsa 8 minuta më pas dyfishon Bylykbashi.
Një fitore të rëndësishme ka arritur edhe Kukësi në Shkodër teksa ka mundur Vllazninë 2-0, ku Pejiç dhe Lushtaku janë autorët e golave për skuadrën kuksiane. Ndërsa ndeshja Tirana-Apolonia e luajtur në stadiumin e qytetit të Krujës është mbyllur me rezultatin 2-2. Ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë do të luhen pas dy javësh.