AlbanianSport.com 02.10.2015 17:05
ASNN – Do të jetë një axhendë e “blinduar” ajo e përfaqësueses serbe në Shqipëri, pasi plot 350 policë do të shoqërojnë skuadrën. Jo vetëm stadiumi i ndeshjes, pasi Policia e Shtetit do të “blindojë” edhe kombëtaren e Serbisë. Mediat lokale kanë zbardhur masat e sigurisë që do të shoqërojnë qëndrimin e përfaqësueses serbe në Shqipëri përpara dhe pas sfidës së 8 tetorit në “Elbasan Arena’.
Ashtu siç ishte parashikuar udhëtimi i skuadrës së drejtuar nga Radovan Çuriçit do të zgjasë pak më shumë se 24 orë. Në axhendën e Federatës Serbe, të zbardhur nga të përditshmet vendase, parashikohet që ekipi të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit më 7 tetor, rreth orës 18:00. Më pas rruga që do të përshkojë autobusi me përfaqësuesen serbe, nga aeroporti deri në hotel, do të jetë e boshatisur nga automjetet e tjera.
Nën masa të rrepta sigurie do të zhvillohet edhe seanca e fundit stërvitore që ekipi do të zhvillojë në stadiumin “Qemal Stafa” vetëm pak orë pas mbërritjes në Tiranë. I blinduar edhe udhëtimi ditën e ndeshjes nga kryeqyteti shqiptar drejt stadiumit “Elbasan Arena”. Sipas mediave serbe, rruga e cila kalon në disa zona rurale është e rrezikshme dhe për këtë arsye, 350 forca policore do të përbëjnë eskortën që do të shoqërojë autobusin në 50 kilometrat nga Tirana deri në stadiumin ku më 8 tetor do të luhet ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Të njëjta masat e sigurisë edhe pas sfidës, ku është parashikuar që përfaqësuesja serbe të udhëtojë menjëherë për në Beograd.