AlbanianSport.com 26.02.2015 18:25
Derbi i 141-të i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit, që ishte planifikuar të luhej të premten, duke nisur nga 19:00, do të luhët të shtunën në ora 14:00, në Stadiumin e Peqinit. Kjo u bë e ditur zyrtarisht sot pasdreke.
Ky ndryshim stadiumi u bë pasi të mërkurën specialistët grekë të ngarkuar nga drejtoria e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, nuk e kanë hapur dritën jeshile për përdorimin e tapetit të ri, që përfundoi së shtruari në 10-ditëshin e 3-të të janarit.
Por për të arritur tek ky njoftim zyrtar pati disa thënie dhe kundërthënie midis drejtuesve të klubeve, Tirana dhe Partizani. Ndërkohë që Klubi i Futbollit “Tirana” deklaroi se sfida ishte shtyrë për më 12 mars 2015, kjo dhe me miratimin e Partizanit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, Klubi i kuq deklaroi se nuk ishte pranuar një shtyrje e tillë dhe se ndeshja duhet të zhvillohej të premten.
Por sot në mesditë gjithçka është zgjidhur. Derbi kryeqytetas do të luhet të shtunën në ora 14:00, në Stadiumin e Peqinit.