AlbanianSport.com 02.02.2015 22:15
ASNN – Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Avni Pepa, largohet nga Flamurtari para kohe. Teksa pritej debutimi i tij me fanellën kuqezi, kosovari konfirmoi për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, se nuk do të jetë më pjesë e vlonjatëve.
26-vjeçari sqaroi se, duke parë atë se çfarë ndodhi në ndeshjen me Teutën në Vlorë, nuk mund që të bëhej pjesë e një kampionati, sipas tij, “të mbushur me dallavere”. Ai e cilësoi futbollin shqiptar si skandaloz. “Mund t’ju konfirmoj se jam larguar nga Flamurtari”, – ka thënë ai për të përditshmen sportive në fjalë.
“E kërkova vetë që të largohesha, për shkak se nuk mund të bëhem pjesë e një kampionati që është i mbushur me dallavere, – ka vijuar ai. – Ishte skandaloze ajo që ndodhi në takimin me Teutën dhe gjykova se nuk mund të bëhem pjesë e një futbolli të tillë.
“Në këto kushte, i kërkova prishjen e marrëveshjes drejtuesve të klubit vlonjat. Të them të drejtën, më zuri frika, pasi këtu u bëkan çudira. E mendova gjatë, por jo, unë nuk mund të luaj dot në një kampionat ku ndodhin këto gjëra”, – ka përfunduar mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Avni Pepa.