AlbanianSport.com 02.11.2014 21:45
ASNN – Atletja e njohur shqiptare dhe jo vetëm, Pavlina Evro, do të jetë në detyrën e konsulles së përgjithshme të vendit tonë në qytetin grek të Selanikut. Lajmi e kanë bërë të ditur për Gazeta e Sportit burime afër atletes më përmasa evropiane në garat e 800 dhe 1500 metrave.
Pas një jetë të tërë në pistën e vrapimit, Pavlina Evro, nga data 10 nëntor i këtij viti, gjithnjë sipas të njëjtit burim, fillon punën në shërbimin tonë diplomatik në vendin fqinj. Pavlina Evro edhe para se të ishte një diplomate ka qenë padyshim një nga ambasadoret tona më të njohura në shumë vende të Evropës.
E kjo sepse kudo ku ajo ka garuar ka qenë padyshim në qendër të vëmendjes të medieve të huaja të shkruar dhe asaj vizive. Sepse Evro, në veçanti, ka qenë një nga atletet më të njohura Evropiane të kësaj gare për aq sa ka vrapuar në pistat e këtyre vendeve, përfshi këtu Oslo e Nisë, aty ku atletja jonë e madhe ka lënë pas në këtë garë sportiste me emër të madh në këtë disiplinë.
Ndaj, edhe për këtë, por dhe shumë të tjera, Pavlina Evro është emri më përfaqësues i vendit tonë në shërbimin diplomatik. Kështu pas një figure të madhe si Agim Fagu, dikur ambasador i vendit tonë në Francë, Pavlina Evro është një tjetër sportiste e njohur që kalon në këtë shërbim.