AlbanianSport.com 20/04/2020 20:10
ASNN – Në morinë e zërave që kanë folur nëpër vorbullën e krijuar nga epidemia globale e koronavirusit, nuk kanë munguar edhe zërat e sportistëve, shumica e të cilëve kanë qenë në të njëjtën linjë me qëndrimin që ka mbizotëruar ndaj kësaj krize, atë të respektimit të rregullave, të qëndrimit në shtëpi dhe të distancimit social. Por, ndonëse në një numër shumë më të vogël, nuk kanë munguar edhe zërat që nuk janë pajtuar me realitetin.
Dhe vetëm pak ditë pasi ish-tenisti rus, Marat Safin, shtangu botën e sportit, duke e quajtur koronavirusin një “teori komploti”, është një tjetër tenis serb, numri 1 i renditjes botërore, Novak Gjokoviç ai që krijuar një stuhi me deklaratat e tij. Kjo sepse ylli serb i tenisit evropian dhe atij botëror është deklaruar kundër vaksinimit të detyrueshëm për t’u mbrojtur nga sëmundja. Ndonëse është është një nga më të mirët e historisë së tenisit, ai njihet edhe për faktin se nuk para e kafshon gjuhën kur flet.
Gjokoviçi, i cili fitoi “Grend Slem”-in (turneun madhor të tenisit) e fundit, atë të Të “Australian Open” në Melbërn, shkaktoi bujë të madhe dhe krijoi polemika ndërsa u shpreh kundër vaksinimit të detyruar ndaj koronavirusit. Tenisti 32-vjeçar ishte duke diskutuar me tenistë të tjerë të njohur apo me sportistë të vendit të tij Serbisë, nëpërmjet rrjeteve sociale, dhe deklaroi se ai vetë nuk do të donte të detyrohej për të bërë vaksinën, apo të detyroheshin të tjerët për një gjë të tillë.
“Personalisht jam kundër vaksinimit dhe nuk dua që dikush të më detyrojë që ta bëj në mënyrë që të kem mundësi të udhëtoj, – u shpreh tenisti i njohur ndryshe me nofkën “Nole”, – por, nëse e bëjnë të detyrueshëm çfarë duhet të bëjmë? Duhet të marrim një vendim. Unë kam opinionin tim për këtë çështje, dhe nuk e di nëse mendimi im do të ndryshojë më vonë. Ende nuk ka ndonjë vaksinë, por nëse e krijojnë dhe nëse sezoni nis në korrik, gusht apo shtator, ka mundësi që ta bëjnë të detyrueshme”.
Por tanimë ekziston mundësia që, nëse Gjokoviçi do të vazhdojë të kundërshtojë vaksinën, që mund të jetë gati brenda një viti apo diçka më tepër, ai mund të përjashtohet nga turnetë madhor të tenisit. Gjokovic ka fituar 17 tituj madhorë, të njohur ndryshe si “Grend Slem”-e, vetëm 3 më pak se rekordi i Rozher Federerit dhe është në garë me zviceranin dhe me rivalin spanjoll, Rafael Nadal, për të qenë më i madhi i të gjitha kohëve në tenis.