AlbanianSport.com 20/04/2020 22:25
ASNN – Ndonëse nuk është ende zyrtare, mësohet se Qeveria e Spanjës ka deklaruar se ka arritur marrëveshje me ligën e futbollit të vendit dhe me federatën që skuadrat e futbollit të kthehen në stërvitje. Megjithatë, qeveria spanjolle nuk ka dhënë ende ndonjë datë të saktë se kur skuadrat mund të kthehen në fushat e futbollit.
Është thënë se kjo do të varet nga zhvillimet lidhur me koronavirusin dhe nga një vendim i autoriteteve shëndetësore. Protokolle të rrepta do të ndiqen kur skuadrat të rifillojnë stërvitjet. Liga spanjolle dhe Federata kanë përgatitur edhe protokollin e shëndetësisë për kthimin në stërvitje.
Liga spanjolle ka thënë se ndeshjet nuk pritet të zhvillohen deri në fund të majit dhe se ato do të luhen në stadiume pa shikues. Njoftimi është dhënë pas një takimi që ka zgjatur rreth 8 orë dhe që është mbajtur në fundjavë. “Daily Mail” ka shkruar se skuadrat spanjolle do të kthehen në stërvitje menjëherë.
Në Gjermani skuadrat e futbollit kanë nisur me stërvitje kohë më parë, por me kushte të veçanta dhe në grupe të vogla.