Gjergj Vyshka 25.11.2014 22:55
Pas gati 30 vjetësh, që nga krijimi i ish-kompleksit “Dinamo”, vetëm dje ka nisur rikonstruksioni i godinës në të cilën sot gjendet Agjencia e Shërbimit të Sporteve, Mjekësia Sportive dhe Laboratori i kontrollit antidoping, Federata Sportive dhe klubi shumësportësh Partizani.
“Sebepi”, quajtur ndryshe në gjuhën popullore, ka qenë shiu i rrëmbyeshëm i së martës në mbrëmje, e cila duket se ka përmbytur katin e tretë të godinës. Dhe për rrjedhojë me një fond të caktuar financiar, që sipas burimeve pranë Agjencisë së Shërbimit të Sporteve ka mbetur nga ky vit, ka ndërhyrë një brigadë punëtore, e cila ka nisur gërryerjen e të gjitha mureve jo vetëm në katin e tretë, apo shkallët që ngjitesh atje, por dhe në katin e dytë ku ndodhen zyrat e Federatave.
Dhe mbi të gjitha është duke u bërë dhe restaurimi i tarracës, ndërsa në krye të këtyre punimeve qëndron vetë drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, kurse pritet që kjo godinë të ketë një tjetër pamje pas këtij rikonstruksioni të pjesshëm.