AlbanianSport.com 30.07.2015 19:45
ASNN – Saraeh, gruaja e trajnerit të Realit të Madridit Rafael Benitez, ka shkaktuar një skandal të vërtetë në një emision televiziv, duke deklaruar se burri i saj ka rënë në hall sepse i duhet të vërë punët në vijë në skuadrat ku Zhoze Murinjo ka krijuar kaos. Nuk është e rastësishme kjo deklaratë, pasi Benitez ka drejtuar vitet e fundit skuadrat që ka pasur më parë në dorë portugezi Murinjo.
“Murinjo ka shkaktuar sherre dhe për burrin tim nuk është e lehtë, sepse i duhet të verë në vend rregullin nga kaosi i shkaktuar prej Murinjos”, është shprehur ajo. Por i frikshëm ka qenë reagimi i Murinjos, i cili ka i kujtuar medias se, në fakt, Benitezi ka zëvendësuar tek Çellsi, Di Mateon, tek Reali, Ançelotin dhe vetëm tek Interi ka zëvendësuar atë, pra portugezin.
Dhe trajneri portugez ka shtuar se ai la në Itali një Inter “kampion”, fitues të Kupës dhe të Ligës së Kampions League, pra një super-skuadër, të cilën, sipas Murinjos, e shkatërroi Benitez. “Zonja nuk duhet të merret me mua dhe punën time, kjo është e tepërt, – ka thënë ai. – Do t’i këshilloja të kujdesej për dietën e burrit, do të ishte diçka më e frytshme se sa të sulmojë Murinjon për sukseset e tij.”
“Gjërat shihen dhe maten. Nuk është faji im që Benitez nuk ka sukses në drejtimin e skuadrave”, – tha Murinjo.