AlbanianSport.com 20/01/2021 16:25
ASNN – Afro 6 milionë vota të tifozëve përcaktojnë 11-shen e yjeve të futbollit kontinental. UEFA ka shpallur të mërkurën 11-shen e vitit 20202, të përzgjedhur nga votat e tifozëve, e cila përfshin edhe 3 rishtarë. Organizmi që qeveris futbollin kontinental pati hapur prej mëse një muaji këtë anketë dhe thuaj 6 milionë vota përcaktuan edhe formacionin e vitit të shkuar, që në portë ka gardianin e portës së Bajernit dhe të Gjermanisë, Manuel Nojer, që përfshihet në këtë 11-she për herë të 4-t.
Në mbrojtje, përpara tij, teksa skuadra e projektuar nga tifozët rreshtohet me skemën 4-2-3-1, në krahun e djathtë të mbrojtjes vendoset një tjetër lojtar i Bajernit, Joshua Kimih, ndërsa në qendër janë veterani i Realit të Madridit, Serxhio Ramos, i përzgjedhur 9 herë, por edhe shtylla e mbrojtjes së Liverpulit, Virgjil Van Dajk, i votuar 3 herë. Një tjetër lojtar i Bajernit, Alfon Dejvis, plotëson 4-shen e mbrojtjes teksa debuton në këtë formacion. Në mesfushë, të tërhequr rreshtohen Thiago Alkantara, që ka luajtur për Bajernin dhe Liverpulin vitin që shkoi, dhe Kevin de Bryjne i Mançester Sitit, të dy të zgjedhur nga 3 herë në këtë 11-she.
Mesfushën e avancuar e përbën në të djathtë Kristiano Ronaldo, që vjen për herë të 15-të në këtë përzgjedhje, i shoqëruar nga Lionel Mesi, për herë të 12-të, në qendër, dhe Nejmari në të majtë, me brazilianin që votohet për herë të dytë nga tifozët. Në majën e sulmit ndodhet i vetëm polaku i Bajernit të Mynihut, Robert Levandovski, që gjithashtu përfshihet për herë të dytë në formacion. Duhet theksuar se thuajse gjysma e këtij 11-shi, pra, 5 lojtarë të përzgjedhur nga tifozët janë të kampiones së Evropës, Bajernit të Mynihut.