AlbanianSport.com 22/10/2018 12:00
ASNN – Shtatë ndeshje radhazi kishte Partizani që nuk pësonte gol. Që nga fillimi i kampionatit kishte pësuar një gol me 11-metërsh në javën e parë ndaj Skënderbeut dhe ambiciet i kishte për ta mbyllur fazën e parë pa gol. Por dëmtimi i Alban Hoxhës, pikës më të fortë të skuadrës së kuqe, la pasoja tek “Demat”.
Kjo pasi në duelin kundër Luftëtarit, edhe pse të kuqtë fituan 2-1, ishte Vasil Shkurtaj që i shënoi gol Partizanit në fundin e pjesës së parë. Pas 672 minutash rrjete të paprekur, më në fund mbrojtja çahet dhe Partizani pëson gol, që ishte i dyti për këtë sezon për skuadrën e trajnerit Skënder Gega.
Pra, të kuqtë janë dukshëm ekipi me mbrojtjen më të mirë në kampionat në këto 9 javë të para të Kategorisë Superiore. Por, me dëmtimin e Alban Hoxhës Partizani u “shpua” dhe nisi të fusë ujë. Përballë ishte Luftëtari, por një rival tjetër më i fortë mund ta kishte ndëshkuar keqas skuadrën e Gegës.
Edhe pse statistikat i japin të drejtë si skuadra me mbrojtjen më të mirë, dëmtimi i Hoxhës mund ta ekspozojnë skuadrën e kuqe nga golat e rivalëve. Mbetet për t’u parë nëse Dashamir Xhika e ka ende staturën që kishte Hoxha në 8 javët e para dhe goli i djeshëm ishte shenjë jo e mirë.