AlbanianSport.com 24.09.2015 13:25
ASNN – Në kampin e Partizanit nuk pranojnë ta nënvlerësojnë aspak kundërshtarin e radhës në kampionat, edhe pse ai debuton për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar. Tërbuni ka në përbërje lojtarë me përvojë, luan në fushën e vet, do të ketë përkrahjen e tifozëve dhe, sipas të kuqve, kjo nuk i lejon të “flenë mbi dafina”. Starova dhe të tijtë rikthehen shpejt në “Ismail Xhemali”, aty ku para dy javësh mposhtën Vllazninë me polemika.
Kjo nënkuptoj se ata janë ambientuar disi me terrenin, ndaj ky faktor s’do të jetë pengesë. Njëri ndër lojtarët e formacionit bazë të Partizanit, Lorenc Trashi, duke folur në konferencë shtypi para ndeshjes së javës së 5-të të Kategorisë Superiore, ka theksuar mes të tjerash se sfida në fushën e Tërbunit duhet vlerësuar maksimalisht nga ana e Partizanit, duke parë edhe lojën e mirë që ka zhvilluar ekipi pukjan në këtë fillimkampionati.
“Në këtë përballje na kërkohet të japim 100% tonë për të siguruar pikët maksimale dhe të vazhdojmë të mbetemi në luftën për titull, – ka vijuar ai. – Është ende herët për të dhënë një opinion për rivalët direktë në garën për titullin “kampion”. Përqendrimi ynë duhet të jetë në çdo përballje të radhës, pa marrë parasysh cilin kundërshtar do të kemi përballë. Është e vërtetë se, me përjashtim të sfidës me Kukësin, në ndeshjet e tjera kemi pësuar gol.”
“Por më kryesorja është që kemi arritur të përmbysim rezultatin në favorin tonë, – ka këmbëngulur futbollisti i Partizanit, Lorenc Trashi. – Kjo tregon potencial dhe stabilitet të ekipit. Kemi zhvilluar lojëra të mira dhe dua të hedh poshtë aludimet në media për një favorizim tonin nga ana e gjykimeve. 11-metërshat e dhënë kanë rezultuar të saktë dhe aspak të kontestueshëm, pasi pamjet filmike flasin qartë.”