AlbanianSport.com 16.05.2015 13:10
ASNN – Partizani pret rikthimin në Evropë, por trajneri Shpëtim Duro kujton: “Në fillim duhet të mundim Vllazninë!” Partizani do të presë Vllazninë në ndeshjen e parafundit të Kategorisë Superiore. Trajneri Shpëtim Duro kërkon të sigurojë rikthimin e skuadrës së tij në Kupat e Evropës. Në fakt, kualifikimin në Ligën e Evropës e ka në dorë, por, për t’u kthyer sërish në futbollin e rëndësishëm ndërkombëtar, Partizani duhet të fitojë në dy sfidat e mbetura të këtij sezoni të Kategorisë Superiore.
Pengesa e parë drejt Evropës për të kuqtë e kryeqytetit është Vllaznia. Në letër, skuadra e Duros është favorizuar, por trajneri nuk do t’i lerë asgjë rastësisë në sfidën e së dielës në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Rikthimi i mundshëm në Kupat e Evropës e detyron Duron të shohi më larg. Trajneri shpreson që të mos ketë shumë largime nga skuadra dhe në transferimin e futbollistëve cilësorë në merkaton e verës.
Kur mbeten edhe dy javë nga fundi i Kategorisë Superiore, Partizani renditet në vendin e katërt, por favorizohet edhe nga përballja mes dy rivalëve direktë Kukësit dhe Tiranës, që gjithashtu kërkojnë të luajnë në Ligën e Evropës. Java e parafundit e Superligës mund të vendosë shumë për objektivat e sezonit. Skëndebeu pret Flamurtarin të shtunën në Korçë dhe tifozët po përgatiten për të festuar titullin e 5-të radhazi. Partizani, nga ana tjetër është ende në garë për një vend në Ligën e Evropës.
Por aty synojnë të marrin pjesë me anë të kampionatit edhe Kukësi, Tirana dhe Laçi. Takimi i së dielës me Vllanzninë është një mundësi e artë për ekipin e Shpëtim Duros. “Ishte e parashikuar në kontratë që duhet të kualifikoheshim për në Kupat e Evropës dhe do të ishte një arritje pas vështirësive që ka kaluar Partizani”, – ka deklaruar trajneri i të kuqve kryeqytetas. Java e 35-të e Kategorisë Superiore do të luhet të shtunën dhe të dielën ku mund të vendosë për titullin, Evropën dhe mbijetesën.
Në garë për në Ligën e Evropës janë katër ekipe, Kukësi me 69 pikë, Tirana me 68, Partizani me 67 dhe Laçi me 63 pikë.