AlbanianSport.com 26/05/2020 23:10
ASNN – Që Vasil Shkurtaj dhe Kukësi do të ndahen me mbylljen e këtij sezoni futbollistik, ky nuk është më një lajm. Lajm është se cili është destinacioni i tij i ardhshëm dhe kjo pyetje mbetet varur në eter midis dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Athinës. Vetë sulmuesi e kishte lënë të kuptohej diçka të tillë më parë, kur hapur foli për çështjen e pagave dhe u shpreh se ishte kundër uljeve.
Së fundmi vulën ia vuri drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, i cili pohoi se kontrata me sulmuesin nuk do të rinovohej në fund të këtij sezoni. Autorit të 16 golave këtë sezon, në deri në ndërprerjen e kampionatit, sigurisht që nuk i mungojnë ofertat. Edhe në janar ka pasur interesim për të nga jashtë vendit, por kërkesat e klubit të Kukësit kanë qenë të larta.
Tashmë ai del lojtar i lirë dhe sipas asaj që raportojnë mediat sportive shqiptare, për Shkurtajn interesohen klube rivale, si Partizani dhe Tirana. Vlonjati ka qenë në orbitën e këtyre dy klubeve edhe në të shkuarën. Por, mesa duket, për të nuk do të vetëm derbi të kryeqytetit shqiptar, pasi e duan edhe në Greqi. Panathinaikosi, që nuk po shkëlqen si dikur në Superligën greke, e shikon Shkurtajn si opsion.
Sulmuesi 28-vjeçar ka luajtur edhe në të shkuarën në Greqi, me skuadra si Panionios, Thrasivulos, Niki Volos, Asteras Tripolis dhe Ksanthi. Shkurtaj ka provuar përvoja të ndryshme edhe në Portugali, Holandë e Qipro. Aktivizimi në një kampionat më të fortë jashtë vendit është prioritet për të dhe normalisht gjatë kësaj vere do t’i shqyrtojë mirë ofertat që do të marrë.
Pas 3 sezonesh e gjysmë në Superiore, ndoshta tani është momenti për të luajtur sërish jashtë vendit.