AlbanianSport.com 25.08.2016 23:55
ASNN – Partizani e ka mbyllur të enjten aventurën e tij kontinentale, pasi është eliminuar edhe nga Liga e Evropës, ku kishte arritur në fazën e “play-off”-it. Të kuqtë kryeqytetas kanë arritur të marrin një barazim pa gola në ndeshjen e kthimit përballë FC Krasnodarit, por i thonë lamtumirë Evropës, pasi e kishin humbur ndeshjen e para një jave në Rusi me shifrat 0-4.
Pas dy tureve në Ligën e Kampioneve dhe një turi në Ligën e Evropës, Partizani i ka dhënë lamtumirën veprimtarive kontinentale, pasi nuk ka arritur dot të përmbysë atë humbje 0-4 të para një jave përballë FC Krasnodarit, duke mos shkuar dot më larg se një barazim pa gola në ndeshjen e kthimit përballë rusëve.
Takimi i zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka parë një Partizan që nuk ka arritur ta ngrejë dot nivelin e lojës së vet mbi atë mesatar, përballë një kundërshtari si ekipi rus, që ka administruar me lehtësi epërsinë e thellë të ndeshjes së parë, duke bërë minimalen me sa më pak lodhje dhe dëme.
Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa në të dytën, janë rusët që janë më të freskët përballë Partizanit gjithnjë e më të lodhur dhe të kuqtë kryeqytetas i janë falur në disa raste gardianit të portës së tyre, Alban Hoxha, për të shmangur pësimin e golit. Përfundimisht, mbyllet me rrjeta të paprekura sfida e kthimit dhe Partizani e ka mbyllur këtu aventurën e tij kontinentale, pasi është eliminuar edhe Liga e Evropës, ku kishte arritur në fazën e “play-off”-it.