AlbanianSport.com 02.03.2017 09:35
ASNN – Nëpërmjet një komunikatë zyrtare me tone të forta klubi i kuq ka shprehur shqetësimin për favorizimet që FSHF sipas klubit të kuq po i bën ekipeve të caktuara në kampionat, duke vazhduar të dëmtojë në mënyrë të personalizuar klubin e Partizanit.
15 herë kampionë kujtojnë se të dyja dy tifozeritë gabuan që hodhën sende në fushë në Zeqir Ymeri, por ndryshimi te tifozët e Partizanit ishte se gjithcka ndodhi në kushtet e vetëmbrojtjes.
Partizani në komunikatën e tij del në përfundimin se ky është një cënim i hapur në garën për titullin kampion duke premtuar se do marrë masa ndaj sulmeve të tilla. Ja dhe deklarata e plotë e klubit të kuq.
“REAGIM NDAJ VENDIMIT TE KOMISIONIT TE DISIPLINES
Klubi i Partizanit shpreh shqetësimin për favorizimet që FSHF po i bën ekipeve të caktuara në kampionat dhe vazhdon të dëmtojë në mënyrë të personalizuar klubin e Partizanit. Vendimi i Disiplinës është një tjetër sulm direkt i FSHF-së, pasi edhe pse prezumohet të jetë një organ gjyqësor i pavarur, minimalisht bazohet te relacionet e zyrtarëve të FSHF-së në atë ndeshje.
– Denoncuam menjëherë pas ndeshjes që grupimi i tifozëve të Partizanit u provokua me gurë që vinin nga jashtë stadiumit prej të cilëve u dëmtuan edhe disa prej tifozëve.
– Dy tifozeritë gabuan që hodhën sende në fushë, çka u vu re qartë edhe në televizor, por edhe nga zyrtarët e FSHF. Ndryshimi te tifozët e Partizanit ishte se ndodhi në kushtet e vetëmbrojtjes dhe gjatë momentit që po goditeshin nga gurët që vërshonin, por edhe nga shkopinjtë e gomës së policisë. Ndërsa tifozeria vendese e kishte të pajustifikuar hedhjen e stolave në fushë.
– Në tribunën qendrore janë hedhur sende të forta, prej të cilave u goditën dy persona, njëri prej të cilëve u gjakos sipër vetullës. I radhitëm këto argumente për të sqaruar opinionin se si Federata ka vendosur të dalë hapur, si një organ opozitar ndaj futbollit të drejte dhe garës së ndershme sportive.
E cilësojmë të palogjikshme që provokuesit dhe dhunuesit të gjobiten, ndërsa viktimat të dënohen me 4 ndeshje. Këto vendime maskaradë të Federatës, që merr guximin të cënojë në mënyrë të hapur garën për titullin kampion, thjesht na bën më të fortë. Partizani i garanton FSHF-së, se pavarësisht këtyre pengesave që na bën dhe favorizimeve ndaj rivalëve direkt, neve na bën më të fortë, më të egër në realizimin e objektivave, duke luajtur me ndershmëri. Gjithashtu, premtojmë se do marrim masa ndaj sulmeve tendencioze dhe burracake…”