Adriatik Balla 20.06.2015 10:05
Derbi Partizani-Tirana do të luhet në javën e 6-të të Superiores së ardhshme. Ky është kalendari që ka caktuar shorti i djeshëm i Superiores i hedhur në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit. Por Partizani po e fiton derbin e vet me Tiranën në këtë merkato, pasi jo vetëm që ka bërë lëvizje më të mira dhe ka afruar lojtarë cilësorë, por në të njëjtën kohë po ia merr Tiranës edhe ata pak elementë të kualifikuar, duke e dobësuar në maksimum.
Lëvizje të tilla të Partizanit kanë ngjallur besim tek skuadra e kuqe, e cila mund të shihet që tani si një nga pretendentet kryesore për titull sezonin e ardhshëm, së bashku me Skënderbeun. Pavarësisht disa largimeve në fillim, Partizani e stabilizoi situatën dhe ia doli të shtrojë rrugën e duhur për sukses, duke mundësuar formatimin e një grupi cilësor. Dje u zyrtarizuan dy blerjet e reja, që janë Tafili dhe Kalari. I pari vjen nga Shkodra dhe shihet si lojtar me të ardhme.
Kurse për Kalarin ishte një zgjedhje emocionale, nisur nga rivaliteti që kanë të kuqtë me bardheblutë. Natyrisht që nuk ndodhi surpriza në short, pra që ky derbi të binte në javën e parë, gjë që do ta kishte bërë vërtet interesant, por kjo përballje e parë nga katër që ka kampionati gjithsej, do të luhet në fillim të tetorit. Deri në atë moment skuadrat do të bëjnë të tjera lëvizje dhe do të shtojnë forcat e tyre për të dhuruar emocione të mëdha. Edicionin që lamë pas, Partizani fitoi dy ndeshje dhe barazoi në dy të tjera në duelet derbi me Tiranën, duke qenë superior dhe duke merituar suksesin.