Adriatik Balla 24.10.2015 09:45
Partizani po sfidon fort Skënderbeun në këtë fazë të parë për kreun e renditjes dhe deri tani ia ka dalë që të jetë në të njëjtat kuota, teksa ka dhe një shans në fundjavë për t’i dhënë një mundësi vetes që të marrë kryesimin nëse e mund ekipin korçar në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Merita të veçanta në suksesin Partizanit në këtë fazë të parë ka padyshim sulmuesi Xhevahir Sukaj, i cili ka realizuar gol në çdo ndeshje, duke thyer një rekord më vete gjatë këtyre viteve. Shkodrani ka qenë shpëtimtar i Partizanit në shumicën e ndeshjeve dhe falë golave të tij Partizani është sfiduesi më i madh i kampionëve të vendit.
Por në media u përfol këto ditë për një largim të mundshëm të tij në merkaton e janarit, pasi kërkohej në Australi për një kontratë trevjeçare, ku pritej të fitonte afro 1 milionë dollarë. Por vetë Sukaj reagoi dje, duke thënë se nuk ka ndërmend të ikë nga të kuqtë kryeqytetas.
“Unë kam pasur vazhdimisht oferta, por nuk kam ndërmend të largohem. Unë jam i Partizanit dhe jam i lumtur këtu. Po i shijoj këto momente dhe dua të jap kontributin tim për suksesin e skuadrës”, është shprehur Sukaj, i cili i qetëson në këtë mënyrë edhe tifozët e kuq, që ishin të shqetësuar për “thashethemin” e përhapur në rrjetet sociale.