AlbanianSport.com 06.01.2017 19:25
ASNN – Shqipëria është një vend i vogël dhe, përtej dëshirave sportive, mundësitë janë të tilla që shpesh edhe dy rivalë të përbetuar në kampionat, si Partizani dhe Skënderbeu, të ndajnë të njëjtin fat. Në njërën anë janë kampionët në fuqi, me rekordin e 6 titujve radhazi, dhe, në krahun tjetër, skuadra kryeqytetase, që synon t’i shkurorëzojë për t’i zënë vendin.
Por, jeta dhuron gjithmonë të papritur dhe pavarësisht duelit e shigjetimeve në distancë, Skënderbeu dhe Partizani e panë veten përkrah në të njëjtin avion drejt Antalias, ku skuadrat do të zhvillojnë fazën përgatitore. Në fakt, të kuqtë, që mbajnë vendin e dytë në renditje, me një pikë më pak, 35, sesa Kukësi kryesues, ishin të parët që u paraqitën në aeroport.
Së bashku me skuadrën udhëtoi edhe Xhevahir Sukaj, që mbetet në pritje të prishjes së kontratës në Malajzi, për tu bërë me efekt të plotë pjesë e kryeqytetasve. Starova shoqërohej gjatë gjithë kohës nga ndihmësi i tij, Klevis Dalipi dhe drejtori i klubit, Genc Tomori, e ndërsa lojtarët po kryenin “check-in”-in, në aeroport u shfaqën edhe futbollistët e Skënderbeut.
Korçarët, që tanimë do të drejtohen nga kryeqytetasi Ilir Daja, mbajnë vendin e 3-të në renditjen e Kategorisë Superiore, pas mbylljes së dy fazave të para, me 32 pikë, 3 më pak sesa Partizani. Rivaliteti në fushë dhe në garën për titullin ndihej në ajër, me lojtarët që fillimisht qëndruan të distancuar. Për të thyer akullin mendoi Bonifejs, i cili kaloi disa minuta me ish-shokët e ekipit te Skënderbeu, mes përqafimeve dhe batutave.
Situata u shtensionua nga Labinot Ibrahimi, i cili nuk nguroi të takonte miqtë e tij te korçarët, Liridon Latifin dhe Bajram Jashanicën. Takimet miqësore vijuan edhe me paraqitjen në aeroportin Nënë Tereza të trajnerit të ri të Skënderbeut, Ilir Daja dhe ndihmësit të tij, Ardian Mema. Starova dhe stafi i tij ishin të parët që i uruan për punën e nisur, ndërsa urimet vijuan edhe nga lojtarët.
Duke nisur nga kapiteni i të kuqve, Alban Hoxha, për të vazhduar me Bathën, Vilën dhe Xhevahir Sukajn. Edhe nëse dikush mund të ndihej paksa në siklet që do të udhëtonin së bashku me kundërshtarët, Partizani dhe Skënderbeu e harruan për pak kohë rivalitetin. Të paktën deri në rifillimin e kampionatit. Megjithatë, pas Turqisë, gjithçka do të rikthehet në normalitet, domethënë, në rivalitet.