AlbanianSport.com 14.03.2016 19:55
ASNN – Ndërkohë që po vlon debati mbi mbështetjen që Bashkia e kryeqytetit duhet të japë për kthimin e klubit të futbollit “Tirana” në pretendente për titull, një tjetër tablo shpaloset përtej futbollit. Tirana e Partizani janë dy klube të kryeqytetit, atje ku të gjithë janë taksapagues e si të tillë duhet trajtuar njësoj. Mirëpo kjo nuk ndodh me shumësportëshin.
Të paktën sipas burimeve të sigurta, nga Bashkia e Tiranës jepen gati 55 milionë lekë për klubin shumësportësh bardheblu, kurse Partizani ka vetëm 8.5 milionë lekë nga shteti. Atje ku, pas detyrimeve të pashmangshme, mbesin vetëm 3 milionë lekë, të cilat janë për dietat, trajtimet ushqimore, honoraret e trajnerëve, që në fakt nuk shkojnë më shumë se 5,000 lekë.
E për rrjedhojë, Partizani duket se është klubi më i persekutuar nga shteti, sepse realisht nuk përfiton asgjë nga Bashkia. Edhe pse është pjesë përbërëse e Tiranës dhe që trajtimin duhet ta kishte njësoi. Bashkitë japin shumë për sportin në Durrës, Korçë, apo dhe Shkodër, e shifra që merr shumësportëshi i Partizanit krahasuar me to, ndryshon shumë.
Parë kështu nëse gjendja nuk do të lëvizë dhe të gjithë të kuptojnë se bëhet fjalë për një legjendë të shumësportëshit, atëherë dhe ajo do të ketë fatin e Dinamos, që nuk është më. Merr Studenti nga Ministria e Arsimit dhe Sportit shumë, por sepse brenda ka dhe zhvillimin e sportit universitar.
Shkurt me një Partizan të mbajtur me thonj, atje ku duhet të paguajë dhe sallën për të luajtur ndeshjet e kampionatit, ekzistenca vihet në pikëpyetje, ndërsa ndërhyrja duhet të jetë urgjente për t’i parë barabartë. Ndryshe shumë shpejt do të themi të paktën në shumësportësh… “Na ishte një herë Partizani!”.