AlbanianSport.com 02.03.2017 20:25
ASNN – Pasi ka njohur të mërkurën dy finalistet e femrave, Kupa e Shqipërisë në volejboll ka njohur sonte edhe dy finalistet e meshkujve dhe ato janë Partizani dhe Vllaznia. Në fakt, shkodranët kanë shkaktuar një surprizë, duke eliminuar Farka Volejin në 4 sete, ndërsa Partizani, përtej vuajtjes në setin e parë, nuk ka patur probleme ta mbyllë në 3 sete gjysmëfinalen ndaj Erzenit.
Të dy këto gjysmëfinale u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga kanali RTSH Sport i platformës dixhitale të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, i cili do të sjellë nesër edhe dy sfidat finale, duke nisur nga ora 16:00 me duelin e femrave, Tirana-Barleti Volejit, dhe duke vijuar me atë të meshkujve, Partizani-Vllaznia. Në fakt, në duelin e parë të zhvilluar sot, Erzeni ka tentuar të bëjë surprizën përballë Partizanit, pasi e ka dominuar setin e parë.
8-7 kanë kryesuar shijakasit në pushin e parë teknik, duke e thelluar këtë epërsi në atë të dytin, në shifrat 16-12. Por këtu zgjohet skuadra e trajnerit Ylli Tomori, e cila, me një rezultat të pjesshëm 13-7, përmbys gjithçka dhe e fiton setin e parë me shifrat 25-23. Seti i dytë e shikon Erzenin “të përtharë” dhe Partizani kryeson 8-4 në pushimin e parë teknik dhe 16-10 në të dytin.
Përpiqet Erzeni, por Partizani e vendos kufirin tek shifrat 18-13, duke vijuar të shënojë 7 pikë radhazi dhe ta marrë setin e dytë 25-13. Seti i 3-të është një “kopje” e të dytit dhe Partizani e fiton atë 25-15 dhe gjithë ndeshjen 3-0, duke siguruar kështu vendin në finale ku përballë do të ketë Vllazninë. Kjo e fundit shtangu Farka Volejin, duke kapërcyer humbjen e setit të parë dhe duke fituar 3-1.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Dritan Bardhi e ka fituar setin e parë, me shifrat 25-18, duke krijuar idenë e një fitoreje komode. Por, duke përfituar edhe nga një nënvlerësim i Farka Volejit, Vllaznia reagon, duke e fituar setin e dytë 25-20 dhe duke vijuar të mos ndalet as në të 3-tin, të cilin e merr 25-22. Farka Volej është çoroditur dhe Vllaznia luan më mirë në mbrojtje, duke i bllokuar shpesh sulmet e ekipit të Bardhit.
Vllaznia nuk ndalet dhe e fiton edhe setin e 3-të 25-17 dhe gjithë takimin 3-1, duke siguruar vendin në finalen e së premtes me Partizanin. Natyrisht, një meritë kryesore në këtë sukses ka patur edhe përforcimi malazez i shkodranëve, Gjorgjeviç, i cili ka realizuar 17 nga 68 pikët e skuadrës së tij, pasi 19 të tjerat u shkaktuan nga vetë Farka Voleji.
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Meshkuj
Kalendari i fazës finale:
Gjysmëfinalet:
(2 mars 2017)
1) Partizani – Erzeni 3-0
2) Vllaznia – Farka Volej 3-1
Finalja
(3 mars 2017)
Partizani – Vllaznia ora 18:00