AlbanianSport.com 28/08/2018 17:30
ASNN – Merkato padyshim mund ta ndryshojë ndjeshëm fizionominë e një ekipi dhe, në rastin e Partizanit, janë plot 11 lojtarë të rinj që kanë zgjedhur të veshin fanellën e kuqe, apo thënë ndryshe, trajneri Gega ka rinovuar afro 40% të skuadrës. Dhe përtej përforcimeve dhe improvizimeve të momentit, duke e marrë të mirëqenë një skemë loje 4-3-3 që shndërrohet shpesh në 4-5-1, Partizani i Gegës e ka krijuar tanimë pak shumë fizionominë e tij.
Janë vetëm dy javë që nga nisja e sezonit të ri të Kategorisë Superiore dhe natyrshëm që është shumë herët për të krijuar një ide e aq më tepër për të gjykuar mbi skuadra të caktuara. Por ajo që mund të themi është se, duke gjykuar mbi afrimet dhe largimet në merkaton e verës, mund të krijojmë një ide nga ajo që skuadrat presin këtë sezon. Kështu, për shembull, në rastin e Partizanit, janë plot 11 lojtarë të rinj që kanë zgjedhur të veshin fanellën e kuqe, apo thënë ndryshe, trajneri Gega ka rinovuar afro 40% të skuadrës.
Kjo listë përfshin edhe Bruno Telushin dhe brazilianin Lukash Kardozo, që kthehen në fushë për Partizanin pas mungesave afatgjata për shkak të dëmtimeve, por edhe shqiptarin nga Maqedonia, Egzon Belica, i cili erdhi në janar të këtij viti në kryeqytetin shqiptar. Në dy ndeshjet e para, vetëm Ardit Hila i ardhur nga Teuta, ganezi Emanuel Mensah i ardhur nga Kerkira në Greqi, por edhe shkodrani Rubin Hebaj kanë zënë vend në formacionin e Gegës në këto dy javë të para.
Natyrisht, në këtë fillimsezon asgjë nuk është fikse dhe, nëse në formacionin e javës së parë përballë Skënderbeut, trajneri e tërhoqi Trashin prapa në të majtë të mbrojtjes, dhe e la në stol Mensanë në favor të Asanit, në ndeshjen e një jave më pas në Kamëz, Gega e bëri këtë rotacion në favor të ganezit. Progni, i cili e nisi nga stoli fitoren me Kamzën, duke i lënë vendin Trashit, i dha një tjetër impuls Partizanit kur u fut në fushë pas një ore lojë, duke zëvendësuar Hebajn që ende nuk po e gjen ritmin dhe golat.
Pritshmëritë janë të mëdha për 20-vjeçarin e huazuar nga Domzhale, por duket se ai ka ende nevojë për kohë, ndërsa trajneri Gega duket se shpreson edhe një alternativë tjetër në sulm në këto 2-3 ditët e fundit të mbetura në merkaton e lojtarëve. Megjithatë, përtej përforcimeve dhe improvizimeve të momentit, duke e marrë të mirëqenë një skemë loje 4-3-3 që shndërrohet shpesh në 4-5-1, Partizani i Gegës e ka krijuar tanimë pak shumë fizionominë e tij.
Dhe, para Alban Hoxhës në portë vendosen Kalari dhe Ibrahimi në krahët përkatës, dhe Atanda e Belica në qendër. Përpara tyre në mesfushë vendoset Telushi në rolin e digës së parë për sulmet e kundërshtarit, ndërsa ai ndihmohet në krahët nga Hila dhe Mala. Në rastet kur kërkohet më tepër fantazi në sulm, Hila i lë vendin Bardhit, ashtu sikundër ndërrojnë vendet Trashi me Prognin, me këtë të fundit që luan edhe rolin e “xholit”, duke u aktivizuar edhe në sulm, ndërsa Asani në të majtë ndërron vendin me Mensanë, ashtu sikundër do të shihet edhe në javët në vijim nëse Kardozo do të alternohet me Hebajn.