Adriatik Balla 23.05.2015 12:35
Partizani nuk gaboi në javën e fundit të kampionatit, duke mundur Elbasanin me rezultat të thellë 3-0 dhe duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës falë vendit të tretë në klasifikimin e përgjithshëm. Kjo ishte një arritje e madhe për skuadrën e trajnerit Shpëtim Duro, i cili do të ketë mundësinë të formojë një grup më cilësor për sfidat e ardhshme në Ligën e Evropës. Suksesi vjen në të njëjtën kohë që rivali kryesor kryeqytetas, Tirana, nuk mundi të sigurojë Evropën, pavarësisht se fitoi dje ndaj Teutës.
Në Ligën e Evropës shkojnë vendi i dytë dhe i tretë në kampionat, si dhe fituesi i Kupës së Shqipërisë, kështu që Laçi ka më shumë shanse si finalist i Kupës se sa Tirana, që shpreson në fitoren e Kukësit. Pothuajse s’ka nevojë të thuhet, por ndeshja luhet me një drejtim të vetëm, atë që të çon në portën e Elbasanit dhe, në minutën e 11-të, është Rrahmani, i prenotuar nga RNK Split në Kroaci dhe në ndeshjen e tij të fundit me fanellën e kuqe godet nga larg por pret Muftaraga.
Në të 20-n, Fazlliu nuk arrin të shfrytëzojë një mundësi të mirë para portës. Ndërsa 6 minuta më pas është Mentor Mazrekaj ai që tenton pranë katërkëndëshit të Eduard Myftaragës. Goli vjen në minutën e 28-të dhe mban firmën e një qendërmbrojtësi. Goditje nga distanca që shkon aty ku nuk mund të arrijë portieri verdheblu, shënon Gëzim Krasniqi goli i parë sezonal në javën e fundit të kampionatit për mbrojtësin e Partizanit.
Skenari nuk ndryshon edhe me epërsinë e skuadrës së Duros dhe kërkon lavdinë edhe Mentor Mazrekaj që i mohon gëzimin e golit vetëm shtylla dhe Partizani e mbyll pjesën e parë në epërsi me goditje të Idriz Bathës. Elbasani nuk ka forcë për të dhuruar rivalitet as në të dytën, kështu për Krasniqin ka një tjetër mundësi për të avancuar në kërkim të dygolëshit personal, por këtë herë topi ndalet nga shtylla horizontale. Goli i dyfishimit vjen në minutën e 57-të nga një elbasanas “puro”.
Dorian Bylykbashi shënon me specialitetin e tij goditjet nga distanca. Është pikërisht Fazlliu ai që shënon duke thelluar diferencën. 3-0 dhe kaq mjafton për një epilog me shije te ndryshme, Partizani e mbyll kampionatin në vendin e tretë dhe nis të mendojë për Evropën, ndërsa Elbasani i thotë lamtumirë Superiores me shpresën për tu rikthyer sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar. Ndeshjet e javës së fundit të kampionatit dhuruan shumë gola, por jo emocione, pasi nuk kishte objektiv në garë, gjë që ishte vendosur nga rezultatet e javës së kaluar.