AlbanianSport.com 28/10/2018 21:40
ASNN – Java e parë e fazës së dytë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit e vendos Partizanin përballë të vetmes skuadër që e ka mundur këtë sezon. Ndeshja e para 10 javëve në Korçë u fitua nga korçarët me një 11-metërsh në fund, por, që nga ajo përballje, skuadra e Skënder Gegës nuk e ka njohur më humbjen, duke e mbyllur fazën e parë me 7 fitore dhe një barazim.
Madje në vendin e parë, me 22 pikë, dy më tepër sesa Skënderbeu i vendit të dytë, ndërsa Kukësi dhe Laçi kanë mbetur prapa, me 16 pikë. Megjithatë, përgatitjet për sfidën e korçarët nuk kanë qenë ato ideale për të kuqtë, të cilët, pas atij goli të pësuar në javën e parë me Skënderbeun, pësuan një të dytë vetëm fundjavën e shkuar, në fitoren 2-1 përballë Luftëtarit.
Kjo ka bërë që tifozët të kërkojnë rikthimin në portë të Alban Hoxhës dhe portieri duket se do të rikthehet midis shtyllave, edhe pse nuk është ende në 100 të formës së tij fizike. Trashi do të mungojë për shkak të mosbindjes së tij ndaj zgjedhjeve teknike të trajnerit Gega, kurse në vend të tij do të luajë Renato Kalari, edhe ky i rikthyer nga dëmtimi.
Sa i përket pjesës tjetër të lojtarëve, Gega e ka të plotë grupin, ndërsa vetë trajneri e ka pohuar se “nuk e kishte parashikuar që skuadra e tij do të ishte në vendin e parë. “E kisha parashikuar që do punohet mirë dhe do marrim 100% nga çdo lojtar”, – ka theksuar trajneri i të kuqve, i cili u ka bërë apel lojtarëve të reflektojnë mbi historinë e madhe të klubit kryeqytetas. Takimi Partizani-Skënderbeu luhet të hënën në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, duke nisur nga ora 19:00.