AlbanianSport.com 30/05/2019 22:05
ASNN – Kampionët e sapokurorëzuar i falen Çinarit në sekondat e fundit për pikën në epilogun me Luftëtarin. Luftëtari dhe Partizani e kanë mbyllur me një barazim 1-1 takimin e javës së 36-të dhe të fundit të Kategorisë Superiore, të luajtur të enjten në Gjirokastër. Fati i kësaj ndeshjeje u vendos nga dy gola, nga një për secilën pjesë loje për secilën skuadër. Në Gjirokastër në javën e fundit kanë mbërritur kampionët e sapokurorëzuar dhe natyrshëm, edhe dalja e skuadrave ka qenë disi më ndryshe, më e veçantë.
Në fakt, për të dyja skuadrat, kjo ndeshje e javës së 36-të dhe të fundit, e drejtuar nga gjyqtari Orlando Kuka, i ka parë të dyja skuadrat me objektiva të përmbushur dhe, për këtë arsye, si trajneri i të kuqve, Gega, ashtu edhe ai i vendasve, Mihajlloviç, kanë zgjedhur t’u japin hapësirë të rinjve. 45 minutat e para kanë parë Luftëtarin më kërkues në drejtim të portës mike dhe, në minutën e 7-të është Fili që shkon dëm një rast të pastër shënimi, ndërsa një minutë më pas, Rapo thërret në apel Xhikën për të shpëtuar portën e tij.
Por atë që nuk e bëjnë dy shokët e tij të skuadrës e bën Hanti në minutën e 10-të, duke kaluar vendasit në epërsi. 26 minutat që vijojnë do të shohin Partizanin që mundohet të kundërpërgjigjet, por të kuqtë, edhe për shkak të përbërjes së skuadrës, kufizohen vetëm me goditjet nga jashtë zone apo larg, që nuk e shqetësojnë edhe aq portierin e gjirokastritëve, si dy herë me anë të Asanit, ashtu edhe me anë të Çinarit. Në krahun tjetër, Luftëtari shkon dëm një rast të mirë për shënim në minutën e 37-të, kur si Fili dhe Hanti ia dalin të mos kuptohen me njëri-tjetrin dhe të mos e shtyjnë dot topin në rrjetën e portës së boshatisur.
Edhe në minutën e parafundit, Fili e vë sërish në provë Xhikën, por pa rezultat. Mbyllet kështu me epërsinë njëgolëshe pjesa e parë, ndërsa e dyta do të flasë më tepër për Partizanin, që sidoqoftë do të provojë me goditje nga jashtp zone, por edhe kur ato janë brenda zone, janë të dobëta ose të pasakta. Rasti më i mirë i të kuqve do të vijë në minutën e 56-të, kur Rexhepi fillimisht dhe më pas, shokët e tij të skuadrës, nuk arrijnë të mposhtin nga afër portierin vendas, Ruçi.
Ky i fundit, do të jetë sërish i pakalueshëm në minutën e 71-të, kur i mohon golin të riut Çela. Partizani do të vazhdojë të këmbëngulë deri në fund, duke e rrezikuar vazhdimisht portën gjirokastrite, por pa rezultat. Dhe atëherë kur të gjithë po prisnin të festonin fitoren e Luftëtarit, Çinari ka tjetër mendim dhe me një goditje të zgjuar barazon gjithçka në 1-1, që do të jetë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.