AlbanianSport.com 29/09/2019 23:00
ASNN – Para ndeshjes, tifozët bardheblu përleshen me të kuqtë. Partizani mbetet “padron” i derbit të kryeqytetit, pasi ka mposhtur të dielën Tiranën me rezultatin 2-1, me dy gola të shënuar në pjesën e parë. Por derbi është njollosur nga përleshjet midis tifozëve të të dyja skuadrave janë përplasur me njëra-tjetrën në pjesën pas porte. Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në prag të sfidës mes Tiranës dhe Partizanit. Tifozeritë e të dyja skuadrave janë përplasur me njëra-tjetrën në pjesën pas porte. Kanë qenë tifozët e Tiranës ata që kanë zbritur në fushë.
Ata i janë drejtuar tribunës së Partizanit, duke goditur me gurë ndërkohë që këta të fundit janë kundërpërgjigjur. Është dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë për të shmangur sadopak këtë përplasje aspak normale. Pas sherrit masiv, në stadium kanë mbërritur edhe forcat e rendit të cilët kanë marrë situatën në kontroll. Megjithatë, ndeshja ka nisur dhe me një lojë të hapur në minutat e para, teksa të dy skuadrat kërkojnë t’i afrohen portës, duke ndërtuar aksione të shumta. Vetëm pas një çerekore lojë vjen një mundësi e shkëlqyer për bardheblutë.
Hoxhallari harkon nga e majta, Bitri nuk largon siç duhet, topi shkon te Kale, i cili provon me një gjuajtje brenda brenda zonës, por ndërhyn mjaft mirë portieri Alban Hoxha, i cili u mohon golin bardhebluve. Tjetër mundësi shënimi vjen për bardheblutë 7 minuta më pas. Pas goditjes nga këndi, Hoxha gabon në dalje, topi shkon te Batha, i cili nga brenda zonës, provon me një gjuajtje, por mbi shtyllën horizontale. Përkundër rrjedhjës së lojës, është Partizani që kalon në epërsi në minutën e 28-të, pas një gafe në mbrojtjen e Tiranës.
Braziliani Melo nuk ka falur, duke e dërguar topin në rrjetën e portës të mbrojtur nga Lika. Tirana ende nuk e ka mbledhur veten dhe vetëm 6 minuta më pas, Partizani dyfishon në “Selman Stërmasi”. Është Solomoni i cili realizon mjaft bukur me kokë pas një harkimi po aq të bukur të Malës. Përtej një nervozizmi midis lojtarëve, që pasqyrohet edhe në tribuna, por edhe një momenti pasigurie në prapavijën e Tiranës, ku Lika për pak sa i dhuron golin e 3-të Partizanit, mbyllet pjesa e parë. Pjesa e dytë do të nisë me Tiranën në kërkim të golit që do të rihapte takimin.
Dhe, në minutën e 68-të, vjen një shans i shkëlqyer i Tiranës me Kobinanë, i cili nuk arrin të gjuajë pasi shmang mjaft bukur 2 kundërshtarë. 3 minuta më pas, shpërdorojnë sërish bardheblutë me Kalenë, i cili nuk shënon nga shumë pranë vijës fatale. Në minutën e 74-t, ndërpritet për disa momente ndeshja pasi tifozët e Tiranës hedhin flakadanë në fushë, duke ndalur lojën. Goli për Tiranën do të vijë më në fund dhe, në minutën 79-të, Edon Hasani gjen rrugën e rrjetës.
Pas një harkimi nga këndi, Vangjeli devijon me kokë, topi shkon te Hasani, i cili shtyn atë drejt rrjetës, duke rikthyer në lojë Tiranën. Megjithatë, 11 minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe ato 5 shtesë, nuk do të sjellin gola të tjerë dhe Partizani vazhdon të mbetet padron i derbit të kryeqytetit.