AlbanianSport.com 22/11/2018 09:30
ASNN – Partizani do të luajë të premten në Vlorë përballë Flamurtarit, një duel në kuadër të javës së 14-të të Kategorisë Superiore. Është një duel mjaft interesant midis ekipit të vendit të parë dhe atij të vendit të gjashtë, që kanë 11 pikë diferencë. Por vlonjatët duan të shfrytëzojnë këtë ndeshje për të frenuar përparimin e të kuqve dhe njëherësh për t’u kthyer në vallen e titullit.
Nga ana tjetër, Partizani ka lajmëruar tifozët e vet nëpërmjet një postimi në profilin zyrtar të klubit në rrjetin social “Facebook” se, për ata që duan të ndjekin ndeshjen në Vlorë nuk është nevoja të blejnë biletën në qytetin bregdetar, por pikërisht në Tiranë, pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, me vlerën e 300 lekëve, si një mënyrë që askush të mos ketë kohë për të shpenzuar dhe klubi u vjen në ndihmë me çdo lloj forme.
Pra, Partizani po ndihmon tifozët që të kenë sa më shumë mbështetje në stadiumin e Vlorës përballë Flamurtarit. Si trajneri Gega, ashtu dhe drejtuesit duan fitoren, por përballë do të kenë një skuadër kuqezi të motivuar dhe një trajner rival si Ilir Daja, ekspert i Superiores. Takimi Flamurtari-Partizani do të luhet ditën e premte, duke nisur nga ora 18:00.