AlbanianSport.com 23/12/2020 16:15
ASNN – Kishte thuajse një muaj dhe plot 5 ndeshje që nuk e shijontefitoren, që nga ai triumf 4-0 ndaj Skënderbeut, por Partizani u rikthye të mërkurën tek fitorja, teksa mposhti me rezultatin 2-0 Kastriotin. Ka qenë një fitore e përvuajtur përballë krutanëve, që është arritur vetëm në minutat e fundit. Cara ishte protagonist me golin e shënuar në minutën e 82-të dhe, më pas, edhe me 11-metërshin e fituar dhe të kthyer në gol më pas nga Asani, në minutën e dytë shtesë.
Pas përfundimit të ndeshjes, zv.trajneri i Partizanit, Renaldo Kalari, i cili ishte në stol në mungesë të trajnerit Ilir Dajës të infektuar me “Covid-19”, u shpreh se skuadra e meritoi fitoren, duke dhënë se bënë ndeshje të mirë. “E kishim vlerësuar këtë ndeshje, – ka thënë ai. – Luanim ndaj Kastriotit që kishte njësoj sa ne pikë. Kanë treguar paraqitje të mira me skuadrat e tjera, E dinim që do na prisnin prapa. Donim të rrisnim presionin te porta kundërshtare.”
“Shfrytëzuam rastet në fund, por e merituam këtë fitore, – ka vijuar nr. 2 i stolit të të kuqve kryeqytetas. – Përgëzoj Carën, për golin, teksa tregoi edhe vlerat e tij. Përgëzoj edhe çunat e tjera, që për pak kohë kanë zhvilluar shumë ndeshje. Duke marrë parasysh edhe mungesat. Ne e kishim parë Kastriotin, për mënyrën se si luan. U munduam që të kishim një administrim të qetë të topit. Çunat ishin të qetë dhe e dinim që do dilnim te goli.”
Kalari beson se në lojën e skuadrës kanë ndikuar kritikat e Dajës. “Normalisht që kur vjen pas një ndeshje që nuk ke treguar vendosmërinë e duhur, nuk ke qenë i freskët atë që kërkohet nga trajneri, normalisht që do ketë kritika, – ka pohuar ai. – Nuk mund t’i linim terren kundërshtarëve. Ndeshjet e kaluara kemi treguar se dimë të luajmë futboll dhe kemi bërë mirë.”