AlbanianSport.com 29.11.2016 22:40
ASNN – Edhe pse përpiqen ta konsiderojnë si një ndeshje të radhës, ndaj Tiranës nuk është kurrë një ndeshje e tillë. Derbi ka gjithnjë interesim maksimal nga futbollistët. Të enjten lojtarët e Partizanit shkojnë me moral më të lartë. Në 10 përballjen e fundit Tirana nuk ka marrë asnjë fitore, por kësaj herë pritet që bardheblutë të shfaqen me një tjetër filozofi loje pasi në drejtim është rikthyer Mirel Josa.
Filozofia e të kuqve për të marrë trepikëshin është e thjeshtë. Interesimi i tifozëve për derbin duket i lartë, pasi dy ditë para takimit janë shitur mbi 1 300 bileta. Natyrisht, derbi i madh i kryeqytetit, ai midis Tiranës dhe Partizanit, si gjithnjë pritet me ankth nga të gjithë, për atë që tifozët dhurojnë në shkallët e stadiumit, për lojën e bukur që dhurojnë skuadrat në fushë si dhe për të marrë vesh fituesin e takimit.
Për mbrojtësin e Partizanit Gëzim Krasniqi , ndeshja mes dy skuadrave të kryeqytetit, duhet të ketë një fitues dhe beson se një barazim nuk është rezultati i duhur për këtë përballje. “Përveç tifozëve edhe ne presim fitoren, – ka thënë ai. – Mund të them që këto barazimet e fundit na kanë penalizuar paksa.”
“Dhe jo vetëm kundër Tiranës por edhe ndaj skuadrave të tjera, – ka vijuar futbollisti i të kuqve, duke folur në konferencën për shtyp të mbajtur sot në zyrat e klubit. – Shpresojmë që fati të jetë në anën tonë pasi lojën e kemi bërë në nivel të lartë por kjo na pati dënuar pak.” Ndeshja Tirana-Partizani do të luhet të enjten në orën 18.00 në Stadiumin “Selman Stermasi”.