AlbanianSport.com 03.02.2017 19:35
ASNN – Klubi i Futbollit “Partizani” ka sqaruar gjithë opinionin futbolldashës se ndeshja Partizani-Vllaznia, do të luhet në orën 17.00, të dielën në Stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. Klubi kryeqytetas ka sqaruar nëpërmjet një deklarate për shtyp se tifozët e vet nuk do të krijojnë asnjë problem në stadium por do të jenë vetëm në mbështetje të skuadrës.
Kështu pra, ndeshja Partizani-Vllaznia do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”. Nëpërmjet një njoftimi në profilin e vet zyrtar në rrjetin social “Facebook”, klubi kryeqytetas ka njoftuar të gjithë tifozët dhe opinionin futbolldashës, se ndeshja do të luhet të dielën në orën 17:00 ashtu siç ishte parashikuar. Klubi ka dalë me këtë deklaratë sepse më herët, policia kishte njoftuar me anë të një shkrese se nuk e merrte përsipër mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje në “Selman Stërmasi”.
Kjo sepse, tifozët e Partizanit mund të shkaktonin trazira në shkallët e stadiumit, duke thyer stolat, si dhe tifozët e Tiranës, mund të pengonin tifozët e Partizanit të hynin në stadium. Kjo shkresë i ishte dorëzuar edhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këto kushte, Televizioni Shqiptar kontaktoi me shefin e sektorit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi.
“Shkresa ka ardhur vërtet në FSHF nga policia, por çështja e mbarëvajtjes së një ndeshje futbolli nuk është detyrë e FSHF-së, por e klubit organizator dhe e forcave të policisë”, – ka sqaruar Nurishmi. Në këto kushte, klubi i Partizanit, ka deklaruar se distancohet nga çdo akt dhune dhe provokimi mes tifozerive të kryeqytetit, siç edhe aludohet. Klubi konfirmon se do të marrë të gjitha masat e nevojshme organizative që mbarëvajtja e takimit Partizani-Vllaznia të mos cënohet nga asnjë faktor i jashtëm.
“Prania e tifozerisë tonë në stadium do të jetë vetëm në funksion të mbështjes së ekipit drejt realizimit të objektivit madhor fitimit të titullit “kampion””, – ka këmbëngulur klubi kryeqytetas, në një sqarim për mediat.