Gjergj Vyshka 13.10.2016 09:00
Është trajneri i fundit që i ka dhënë Partizanit një titull “kampion” në sezonin e largët 1992-1993 e për rrjedhojë do të jetë shansi i tij nëse pas 24 vjetësh të kuqtë kthehen tek ky trofe i munguar dhe shumë i kërkuar. Në fakt, Sulejman Starova ka qenë në krye të Partizanit dhe në javën e parë të sezonit të kaluar, teksa të kuqtë patën barazuar 1-1 në fushën e kurbinasve.
Tashmë është momenti për t’i kthyer buzëqeshjen këtij ekipi, ndërsa një fitore i mungon që në javën e katërt ndaj Teutës 2-0 në Durrës. E vërteta është se Partizani ka vetëm 8 pikë, të cilat kanë ardhur nga dy fitore, 1-0 me Luftëtarin dhe 2-0 me Teutën, si dhe dy barazime 0-0 me Vllazninë e Tiranën. Por humbja me Kukësin, 0-1, ka prishur të gjithë atmosferën.
Sormani iku sepse nuk gjeti përkrahjen e tifozëve. Ndaj tashmë Starova ka shansin për ta nisur me këmbë të mbarë, sepse Partizanit i duhen sukseset dhe vazhdimësia e rezultateve pozitive. Ndërkohë, mësohet se grupimi “Ultras Guerrils”, mbështetësit më të zjarrtë të Partizanit, do të jenë në mbështetje të skuadrës edhe në vizitën e vështirë të Laçit.
Ata do të nisen drejt Laçit në ora 12:00 nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi” dhe pritet të jenë të shumtë. Ndaj për rrjedhojë, Partizani i Starovës e ka detyrim fitoren dhe për këta tifozë, të cilët nuk i janë ndarë për asnjë moment skuadrës. Në javën e parë të kampionatit, të kuqtë kanë barazuar 1-1 në fushën e kurbinasve me “Bobin” trajner. Tanimë është koha për të kthyer skuadrën tek suksesin e për të vazhduar luftën për titull